Kryetari i Bashkisë Skrapar, Nesim Spahiu në përshëndetjen e tij me rastin e festave të Nëntorit.
Festat e Nëntorit, datat 28 dhe 29, janë ngjarje shumë të rëndësishme për të gjithë, janë momentet më kulminante të historisë sonë kombëtare, që kanë përcaktuar fatin dhe të ardhmen tonë si komb. Sot në këto ditë festive, në 105 vjetorin e Pavarsisë dhe 73 vjetorin e Çlirimit, ne sjellim në kujtesë, vlerësojmë, nderojmë, luftën, kontributin dhe sakrificat e jashtëzakonshme, të patriotëve tanë, dëshmorëve dhe heronjve, të Luftës Nacional-Çlirimtare, në shpalljen e Pavarsisë dhe Çlirimin e vendit.
Ne sot kujtojmë dhe përulemi me respekt para veprës së patriotëve tanë të shquar si Riza Kodheli, Ali Farmaqi, Avni Kapinova, Maliq Vlusha dhe shumë të tjerëve, që organizuan, luftuan dhe kontribuan në shpalljen e pavarsisë. Përkujtojmë firmëtarin e pavarsisë Xhelal Koprencka, firma e të cilit është stampuar në aktin madhor të shpalljes së pavarsisë përkrah firmave dhe figurave madhore kombëtare si Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit etj. Kujtojmë luftën, kontributin dhe sakrificat sublime të dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Nacional-Clirimtare të Skraparit, të cilët ju bashkuan asaj që në momentet e para duke i dhënë mbi 300 dëshmorë . Emra si: Riza Cerova, Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Mestan Ujaniku, Estref Caka, Njazi Cepani, Tajar Grepcka, Tefik Lapani dhe qindra te tjerë, krahas vlerësimit dhe mirënjohjes nga shteti, për kontributin dhe vlerat e tyre patriotike dhe atdhetare, kanë marrë një vlerësim të madh.
Ata gëzojnë mirënjohjen popullore e cila i ka përjetësuar ndër breza.
Mesazhi im për këto ditë festive është:
“Të bashkohemi të gjithë rreth vlerave më të mira të luftës Nacional-Çlirimtare, të atdhedashurisë dhe lirisë.
Të përkulemi me nderim përpara atyre që dhanë jetën, përpara atyre që luftuan, të respektojmë veteranët dhe t`ju urojmë jetë të gjatë.
Të ruajmë vlerat dhe traditat më të mira,që ne trashëguam nga këto luftëra,ti trasmetojmë ndër breza,sepse vetëm duke njohur mire të shkuarën,
do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, për vendin dhe brezat e rinj”.