Bashkia Skrapar  fiton projektin “Menaxhimi i Mbetjeve Urbane”, të financuar nga Bashkimi  Europian.

Ky projekt ka si qëllim të ndërtojë një qendër multi-funksionale, e cila fokus kryesor ka kompostimin e mbetjeve të biodegradueshme. Gjithashtu kjo qendër do të shërbejë si qendër transferimi të mbetjeve për në landfillin që pritet të ndërtohet së shpejti në qarkun e Beratit dhe si qendër për selektimin e mbetjeve të riciklueshme nga ato të biodegradueshme dhe ato të cilat janë të destinuara për në landfill. Kjo e fundit do të ulë dhe kostot e depozitimit të mbetjeve në landfill që është një problem që ngrihet shpesh.

Kjo qasje është  inovative dhe  përbën interes pasi nuk është implementuar ndonjëherë më parë në asnjë bashki të Shqipërisë.

Aplikimi për këtë projekt u realizua nga Zyra e Projekteve dhe Informimit të Çështjeve me Bashkimin Europian që ndodhet në Bashkinë Skrapar. Edhe pse nje zyrë  e re, ajo është  tashmë e suksesshme, duke siguruar projektin e dytë fitues brenda vitit, pas projektit të parë fitues me Shkollën “Zylyftar Veleshnja”, i cili po implementohet me sukses.

Kjo është hera e parë që Bashkia Skrapar merr fonde për financim projekti nga Bashkimi Europian.

Presim së shpejti të fillojë implementimi i projektit.