Skrapari është një festë që zgjat në çdo ditë të vitit… por sot, kjo festë ishte më e veçantë për gjithë popullin e Skraparit.
Bashkia Skrapar, hapi sot zyrtarisht “Sezonin e ri Turistik – Skrapar 2018” përmes disa aktiviteve që u mbajtën, nën përkujdesjen e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu. Kjo festë u nderua nga prania e Shkëlqesisë së tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta, Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, znj.Jiang Yu, Ambasadorit të Republikës së Serbisë z.Miroljub Zaric, Ambasadorit të Republikës së Polonisë z.Karol Bachura, Ambasadori i Kuvajtit z.Fayez Mishari Al-Jassim, Ambasadori i Sllovakisë z.Milan Ciganik. Po ashtu, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Prefekti i Qarkut Berat, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut, Kryetarë të Bashkive, Përfaqësues të autoriteteve Rajonale dhe lokale etj, ishin sot mesazherët e miqësisë dhe partneritetit që Skrapari zgjon.
Mes qindra të pranishmëve, gjithçka sot foli me gjuhën e traditës. Kënga Popullore, Gatimet tipike të zonës, vendet e mrekullueshme që natyra i fal me bekim këtij vendi, që nga sot presin të vizitohen nga mijëra turistë. Një panair i produkteve nën markën e Skraparit, tregoi se si njerëzit fisnik e punëtorë të çdo zone në Skrapar, përkushtohen në ruajtjen e traditave, si një ndër elementët më të mirë të promovimit.