Fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu në Ceremoninë Zyrtare të “Hapjes së Sezonit Turistik – Skrapar 2018”

I nderuar Shkëlqesia e tij, President i Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta!
Të nderuar Ambasadorë!
Të nderuar Deputetë!
Të nderuar drejtues të pushtetit lokal!
Të nderuar Pjesëmarrës!

Kam nderin dhe privilegjin e madh që të nis këtë aktivitet të veçantë “Hapja e Sezonit Turistik e Bashkisë Skrapar” dhe me këtë rast dëshiroj që t’ju uroj “Mirëseardhjen në Skrapar”.

Turizmi në Skrapar, më parë konsiderohej si një turizëm stinor, i lidhur vetëm me Raftingun, me disa muaj turizëm në varësi të nivelit të ujit të lumit.

Bashkia, duke parë potencialet natyrore që ka Skrapari, traditat e mikpritjes, e cilësinë e produkteve tipike e vlerësoi sektorin e turizmit si sektor prioritar për zhvillimin e zonës dhe në funksion të tij hartoi dhe strategjinë mbështetëse.

Një projekt i suksesshëm i realizuar nga Bashkia jonë së bashku me një grup ekspertësh italianë në fushën e turizmit, solli si produkt të tij projektin “Zhvillimi i mundësive për Promovimin e Skraparit”.

Ky projekt, realizoi infrastrukturën plotësisht të munguar në këtë fushë si, sinjalistika, investimet pranë destinacioneve turistike si dhe promovimin më të mirë të saj.

Zbatimi me sukses i këtyre projekteve dhe projekteve të tjera në bashkëpunim me T.A.P. dhe Fondacionin Amerikan të Zhvillimit ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve përtej parashikimeve të pritshme.

Numri i turistëve të ardhur për sportin e Rafting, është dyfishuar: nga 6 në 12 mijë turistë, ndërsa numri i turistëve që vijnë në zonë 50 mijë.

Sot turizmi në Skrapar nuk është më turizëm stinor ai tashmë është shndërruar në turizëm gjthëvjetor.

Por përtej numrit në rritje të turistëve ka ende punë për t’u bërë, për akomodimin e zgjatur ditor të tyre në mënyrë që turisti të mos qëndroj një ditë por disa ditë në Skrapar.

Bashkia jonë, në kuadër të bashkëpunimit rajonal po punon me bashkitë Gjirokastër, Berat dhe Përmet, për hartimin e paketave turistike dhe projektit “Udhëto sipas mënyrës tënde”.

Ky projekt do të konkretizohet vitin e ardhshëm dhe pritet të ketë një impakt pozitiv në zhvillimin e zonës.

Bashkia po inkurajon fermerët e zonës përgjatë Luginës së Osumit, për të investuar në shtëpitë e tyre, për t’i shndërruar ato në struktura akomodimi.

Kjo formë turizmi do të jetë dhe mundësia për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të kësaj zone.
Bashkia jonë, është një bashki e vogël me një buxhet modest të papërballueshëm për nevojat e zonës por që kemi miq të shumtë, të mëdhenj e bujarë që n’a kanë ndihmuar me donacione.

Investimet e kryera në zonë vetëm për këtë vit i kalojnë një milion euro.
Ndër to, përmendim donacionet e projektit T.A.P. në
“Rikonstruksionin e Kopshtit të Lagjes – 2 Dhjetori”, me vlerë 500 mijë euro;
Ujësjellësit të fshatit Vëndreshë, me vlerë 230 mijë euro,
Rikonstruksioni i kopshtit të lagjes “5 Shtatori” i realizuar nga Ambasada e Kuvajtit, me vlerë 220 mijë dollarë
Një mjet zjarrëfikës, nga “Shoqata e Bashkive Turke”, me vlerë 120 mijë euro.

Duke përfituar nga rasti, dua të t’i falenderoj të gjithë donatorët për kontributin e tyre, në ndihmë të bashkisë dhe komunitetit të saj.
Unë besoj, se e ardhmja e Skraparit do të jetë zhvillimi i tij nëpërmjet turizmit.

Mesazhi im për qeverinë do të ishte finalizimi sa më i shpejtë i projekteve të nisura në infrastrukturë.

Fermerët duhet të mposhtin hezitimin, duhet të investojnë në shtëpitë e tyre e t’i kthejnë ato në shtëpi pritëse për turistët në mënyrë që të rriten kapacitetet akomoduese.

Bashkia Skrapar do të jetë në mbështetje të fermerëve duke i dhënë ndihmë dhe asistencë institucionale në aplikimin dhe përfitimin e grandeve.

Ajo se çfarë kërkon dhe vlerëson turizmi sot, është ruajtja e traditës dhe origjinaliteti i produkteve tipike të zonës për t’a bërë Skraparin një vend më të vlerësuar, që turizmin e ka prioritet.
Ju Faleminderit!
Skrapar, 09.05.2018