Kryetari i Bashkisë së Skraparit z. Adriatik Mema, mori pjesë në Konferencën e tretë të Dialogut Ndërkombëtar, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Maltepe, Stamboll, Turqi.
Konferenca, e cila zhvilloi punimet në datat 4 dhe 5 Tetor 2019, adresoi tema që kanë të bëjnë me planifikimin urban, zbutjen e varfërisë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në nivel vendor. Pjesëmarrës në këtë konferencë, nga Shqipëria, përveç Kryetarit të Bashkisë së Skraparit, ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Kryetarë të Bashkive si dhe autoritete vendore nga vende të ndryshme si: Turqia, Gjermania, Bullgaria, Moldavia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Siria, Irani, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, etj.
Në fjalën e tij zoti Mema u ndal kryesisht në rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve si një instrument i cili siguron implementimin e të drejtave të tyre nga njëra anë, por që shërben njëherësh edhe si një mekanizëm i cili mban qeverisjen vendore gjithnjë e më shumë përgjegjëse ndaj komunitetit, nga ana tjetër. Pjesëmarrja e qytetarëve, ka marrë aktualisht një dimension të veçantë, me fjalë të tjera, ajo është ushtrim i pushtetit, një mënyrë e cila e sjell qeverisjen më afër qytetarëve, me synim përballimin e sfidave të zhvillimit. Ajo e bën komunitetin më inovativ, duke e detyruar qeverisjen të përmirësojë shërbimin ndaj tij dhe të ndërtojë programe zhvillimi të orientuara ndaj komunitetit dhe në funksion të përmirësimit të jetesës së komunitetit.
Gjatë punimeve të konferencës, z.Mema, pati një takim të veçantë me Kryetarin e Bashkisë së Maltepe, z.Ali Kiliç, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy bashkive në të ardhmen.
Në përfundim të konferencës të gjithë pjesëmarrësit nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Konferencës. Në mbyllje të konferencës, në fjalën e tij, në prani të medias, z. Mema e vlerësoi konferencën si shumë të sukseshme, duke shtuar se kjo iniciativë duhet të vijojë të konsolidohet edhe më shumë në të ardhmen, duke u fokusuar në tema me interes për vendet pjesmarrëse.