Nuk besoj se ndonjëherë më parë kjo sallë të ketë qenë kaq elitare sa është sot, teksa mbledh bashkë ish mësues, ish nxënës tashmë inxhinierë, mësues, juristë, gazetarë, mjekë, ekonomistë, ushtarakë, agronomë, veterinerë, zooteknikë, si dhe mësues e nxënësit aktualë të kësaj shkolle, me emër ta madh. Ndërsa të parët, sjellin në këtëditëplot kujtime për atë kontribut të jashtëzakonshëm që kanë dhënë ndër vite, ndonëse të thinjur nga pesha e moshës, por plot nur dhe hijeshi, të dytët vijnëkëtu për të na dëshmuar se kjo shkollëështë duke ecur në traditën e konsoliduar tashmë, duke iu përgjigjur dinamikës së zhvillimeve sociale të kohës që po jetojmë. Të dy palët, më se krenarë për ata çka kanë bërë dhe bëjnë.
Të nderuar ish mësues, ish-nxënës, mësues dhe nxënës të gjimnazit të Çorovodës,
Të nderuar mësues të shkollave 9-vjecare,
Të nderuar Zonja dhe zotërinj,
Jam i bindur se keni përjetuar momente emocionuese nga vizita në gjimnaz, vendi ku keni punuar, apo mësuar, ndoshta në moshën më të mirë të jetës tuaj. Ju faleminderit që na u bashkuatnë këtë ceremoni modeste të 60-vjetorit të gjimnazit të Çorovodës. Pavarësisht, se jam mësues nga profesioni, qoftë edhe si ish mësues i këtij gjimnazi, aq kohë sa kam punuar, nuk do të më jepnin kreditet e mjaftueshme, në raport me shumë nga ju, për të folur përpara kësaj audience të mrekullueshme.
Ndaj, jam shumë i privilegjuar, t’ju drejtohem në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë dhe t’ju shpreh ish mësuesve dhe mësueve të kësaj shkolle, mirënjohjen e pafund dhe respektin e madh për gjithçka ju keni bërë ndër vite, për edukimin e brezave të tërë, përpërkushtimin, profesionalizmin, për vlerat dhe qytetarinë që ju keni mishëruar dhe transmetuar në shoqëri, për emrin dhe dinjitetin që i kini dhënë këtij gjimnazi, jo vetëm në Skrapar, por në gjithë vendin.
Mësuesia është një profesion i nderuar, i cili gjithmonë sjell shpresë dhe mundësi. Këtë keni bërë edhe ju me punën tuaj. Ju u keni hapur dritaren e jetës, u keni dhënë pasaportën e së ardhmes qindra e qindra nxënësve në gjithë Skraparin, duke i bërë ata të suksesshëm në profesionet e tyre. Është kënaqësi që shumë prej tyre janëbashkë në këtë sallë, për t’i dhënëkësaj ceremonie dimensionin e takimit të brezave.
Evente të tilla si ky i sotmi, përtej kujtimeve dhe nostalgjisë, na kthejnëpas në kohë, për të parë si ka evoluar arsimi në Skrapar. Jam i bindur se këto do të preken nga folës të tjerë të nderuar, por dëshiroj të them se Skraparllinjtë kanë qenë kurdoherë të etur për arsim dhe dituri. Në këtë kontekst, viti shkollor 1959-1960, me 35 gjimnazistët e parë, të vendosur në një godinë fare të thjeshtë, është një gur kilometrik në historikun e zhvillimit të arsimit në Skrapar.
Jemi ende në vitet, kur një pjesë e konsiderueshme e kontingjentit të mësuesve të Skraparit, si të arsimit fillor, 8-vjeçar dhe të mesëm, vinin nga Tirana, Elbasani, Korça, Vlora, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Shkodra. Ata, jo vetëm sollën një frymë dhe kulturë të re në Skrapar, por me punën e tyre të jashtëzakonshme bënë çdo gjë të mundur për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve.
Me fuqinë e profesionalizmit që kishin, me disiplinën dhe korrektesën, me marrëdhëniet e shkëlqyera që ndërtuan, ata kanë lënë pas një legasi tëçmuar në Skrapar. Emra të tillë si: Pirro Kotoko, Xhemil Bylykbashi, Antonin Topollaj, Myzejen Rrahmanaj, Shqipe dhe Bardhyl Gjylbegu, Urim Bujari, Syri Fani, Mihal Fociro, Myfit Ulqini, Kontesha Xinxo, Valentin Gjorgjani, Çlirim Mukli, Petrit Brokaj, Abdulla Kaba, Hasko Hasko, Mënyr Bega, Hektor Protopapa, Pandeli Stefani, ende edhe sot kujtohen me respekt në Skrapar.
Më ka rënë rasti të bisedoj me shumë syresh, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe tëdëgjosh se sa dashuri dhe respekt ata ruajnë për Skraparin, ndonëse kanë kaluar shumë e shumë vite.
Por, edhe Skrapari dhe çdo familje në Skrapar, më të cilën ata ndër-vepruan, kurrë nuk ua kurseu mikpritjen, ngrohtësinë, respektin dhe dashurinë. Ish nxënësit e tyre, kurrë nuk ua harrojnë atëçka ata kanë bërë për ta. Në një farë mënyre, Skrapari i mbajti ata në gji. Të rinj dhe plot vitalitet, ata u dashuruan, krijuan familjet e tyre, duke e bërëlidhjen me Skraparin edhe me të fortë. Shumë djem nga Skrapari, kanë qenë me fat që u martuan me ato vajza shumë të bukura, apo vajzatë bukura nga Skrapari që u martuan me ata djem të hijshëm dhe të ditur.
Pas kësaj periudhe, fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve 70, nxori edhe universitarët e parë, profesionistë të të gjitha profileve. Një gjeneratë e re mësuesish, të cilët arsimin e mesëm e morën në gjimnazin e Çorovodës, për t’u bërë kësisoj promotorë të zhvillimit të arsimit në Skrapar, i cili për hir të së vërtetës, filloi të shtrihej masivisht dhe shumëcilësisht në gjithë Skraparin.
Dalë ngadalë, me kalimin e viteve, trupa mësimore bëhej më “vendalie”, mjaft e aftë profesionalisht dhe shkencërisht, duke përçuar dije e kulturë tashmë tek një brez tjetër të rinjsh, jo vetëm në Çorovodë por në të gjithë Skraparin. Në kujtesën e këtij brezi të rinjsh, do të mbeten të paharruar mësuesit që me përkushtim dhe pasion kanë lënë gjurmë të pashlyera në Skrapar. Ndërsa e pyesja një mikun tim, teksa përgatitesha për këtë fjalë, se si i përkufizon mësuesit e tij të gjimnazit, ai m’u përgjigj: “Vështirë të gjej fjalët e duhura t’i përkufizoj, por ata janë heronjtë e mi”.
Është shumë i madh numri i familjeve në Skrapar, që në një mënyrë apo tjetër,është e lidhur me gjimnazin, dikush mësues apo mësuese, dhe të tjerët nxënës të këtij gjimnazi, nga Çorovoda apo nga skaji më i largët i Skraparit qofshin. Madje këtë të fundit, jetesa në konvikt, i maturoi më herët dhe i bëri më të dashur me njëri tjetrin. E ku ka më bukur, se të dëgjosh me respekt ish nxënës të thonë: historinë ma ka dhënë Dalip Mustafaraj, Asqeri Turhani, Bashkimi Metani, Pranvera Çuni, Tahir Demko, Valentina Shkreli; Fizikën: Agron Hasko, Xhelil Shahu, Tare Xhaja, Luman Harizaj, Behar Çuedari, Skënder Idërshaj, Netila Meta, Leonard Breshani; Kiminë:Hysen Xhafellari, Teki Bregu, Behar Korbi, Albert Lajthia, Festim Myftari, Çelnik Nako, Hajri Musabelliu, Taip Kaci, Vera Çuedari, Kastriot Mjekra, Kongres Dalipi, Vasilika Demko, Astrit Gropa; Matematikën Tomorr Qafa; Qemal Zaimi, Syti Hysko, Xhaferr Ibro, Petrit Xhaja, Veri Xhaferri, Ermioni Dervishi, Hajri Kapllani; Fehmi Xhamëni, Alfons Harizaj, Aurora Hajdini dhe Koprencka, Sali Kafexhiu, Petrit Zeka, Engjëll Hysko, Dashnor Dosti e Sheshi, Arif Hodo, Sokol Kapxhiu; Letërsinë:Gani Zyka, Fiqiri Aliaj, Ademi Jakllari, Rustem Bregu, Nesim Fusha, Afërdita Ibro, Natasha Bregasi, Rustem Kaci, Flamuri Laze, Eglantina Metani, Shkelqim Zaimi, Dritan Myftari; Gjeografinë: Suat Braçellari, Suzana Sinani, Blerta Kapxhiu;Filozofinë: Sazan Myftari, Adriatik Hatellari; Rusishten: Maliq Bregu, Donika Dervishi, Katerina Xhaferri, Shpresa Kapexhiu, Shpëtime Nurellari, Anglishten: Valentina Hasko, Yllka Musabelliu, Shpresa Shahu, Burbuqe Bundo, Flora Laze; Frëngjishten Miranda Lajthia, Margarita Kaloçi;Teknologjinë: Elisabeta Drita, Fizkulturën: Avdyl Shkëmbi, Partizan Koxhaj, Resmi Idërshaj, Vladimir dhe Drane Bega, Natasha Sina, Vjollca Alicka, Sazan Hasani, Guri Nako, Behar Zylyftari,Luan Dervishi, Muhamet Zyka,Avni Cela, Afërdita Kuçi, Refat Zylyftari, Shpëtim Hito, etj.Dëshiroj të vlerësoj po ashtu, kontributin e një grupi tjetër mësuesish të profilit bujqësor si: Qamil Dollani, Xhemal Lamçe, Fatmira Musai, Donika Sheshi, Anita Myftari, Fiqirete Duhanxhiu, Hetem Dosti, Arif Gjoka, etj, të cilit kanë qenëgjithmonë në të njëjtën strehë me gjimnazin.
Të gjithë sa përmenda, por edhe shumë e shumë të tjerë, u kërkoj ndjesë, por të jenë të bindur se janë po aq të respektuar, kanëdëshmuar një figurë të lartë profesionale dhe qytetare. Duhet t’u jemi mirënjohës këtij brezi fisnik mësuesish, pse gjithë karriera e tyre u përshkrua nga ndjenja e lartë e punës dhe e sakrificës.
Një falënderim tëveçantë për gjithë drejtuesit e kësaj shkolle, duke filluar nga z. Qani Zaimi,i cili mbetet ikona e arsimit në Skrapar,Demir Hysenbelliu, Gani Zyka, Asqeri Turhani, Rustem Bregu, Teki Bregu, Adem Jakllari, Agron Hasko, Adriatik Hatellari, Skender Idershaj, Kastriot Mjekra, Mimoza Saliasi, dhe deri tek Novruz Zeqo.
Një pjesë e mirë e tyre, ashtu si Abdulla Badronja, Syrja Laze, Hasan Cuni, Teki Bregu, Abedin Shameti, Rustem Bregu, Agron Hasko, Xhaferr Ibro, Qamil Lirza, Tahir Demko, Hajri Musabelliu, Hajri Kapllani, Agim Qamirani, Avdyl Braho dhe më të rinjtë si Dashnor Dosti, Ilirjan Kalemi, kanë vendin e tyre të merituar jo vetëm si mësimdhënës, por edhe në drejtimin e arsimit në Skrapar.
E në këtë ditë, nuk ka pse të mos shprehim falënderime edhe për stafin mbështetës të kësaj shkolle, e përfaqësuar më së miri nga Nexhmije Baze, ndoshta më jetëgjata në këtë gjimnaz.
Teksa përmenda këtë brez kaq të nderuar, dua të shtoj diçka. Nga sa kam konstatuar, ndonëse profesioni i mësuesit nuk hyn tek më të paguarit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, ju që jeni në këtë sallë, nëmungesë të asaj çka thashë më lart, jeni shpërblyer me dy gjëra: mirënjohje dhe respekt nga të gjithë ata që keni mësuar. Zor se ju thërrasin në emër ata sot. Keni një vend të nderuar nëshoqëri. Dhe e dyta: keni edukuar fëmijët tuaj, të cilët i keni, falë zotit, të suksesshëm nëprofesionet e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit.
Duke përmendur gjithë këta emra mësuesish, jo pa dëshpërim shikoja në vitet ‘94,’95,’96 e në vijim, se siky brez i mrekullueshëm mësuesish po largohej nga Skrapari. Çdo librezë pune e firmosur për ta më ngjallte trishtim. Ja si përsëritet historia. Ndërsa, në vitet 60 dhe gjysmën e parë të viteve 70, mësues nga rrethe tëtjera vinin në Skrapar, në mesin e viteve ’90, ishin mësuesit e Skraparit që largoheshin për t’ia lënë vendin një brezi tjetër. Pak kush e mendon se çfarë cilësie ka eksportuar Skrapari në këtë fushë drejt Tiranës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Elbasanit apo kudo tjetër. Është shumë domethënëse kjo gjë.
Thënë kjo, mësuesit që shërbejnë sot në gjimnaz, të cilët dëshiroj t’i falënderoj të gjithë për punën që bëjnëçdo ditë, i inkurajoj qëasnjëherë të mos harrojnë se punojnë në një qendër elitare të arsimit në Skrapar. Ajo ka qenë elitare që nga dita e parë, e tillë ishte edhe në kushtet e njësistemi tjetër shoqëror, dhe e tillë duhet të mbetet gjithmonë, edhe sot në kushtet e një shoqërie të hapur, e cila ofron mundësi të shumta.
Do t’ju lutesha që herë pas here, të kthenit kokën pas e të mendoni se çfarë kanë bërë mësuesit tuaj për ju. As më shumë e as më pak, këtë duhet të bëni edhe ju me brezin që po edukoni sot. Nuk është e lehtë, e kuptoj. Por nuk është e pamundur.
Në përfundim të fjalës time, duke ju uruar gjithë sa jeni këtu, shëndet dhe çdo të mirë në familjet tuaja, ju lus të gjithëve, ta mbushni këtë ditë me biseda dhe kujtime nga ditët tuaja më të mira të punës në këtë gjimnaz. Kemi nevojë edhe për këtë gjë.
Ju faleminderit shumë.