Lidhur me lajmin e publikuar nga TV Ora News, “Hije Skandali ne Bashkinë Skrapar”, i cili ka si burim informacionet e deformuara qëllimisht nga dega e LSI Skrapar, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se:
Në funksion të rritjes së sigurisë rrugore në qytet, Këshilli Bashkiak Skrapar miratoi një fond prej 2.997.953 lekë, për blerjen e pengesave rrugore. Pas shpalljes së procedurës përkatëse, në tender u paraqitën katër operatorë ekonomik. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në zbatim të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik” i ndryshuar, dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, bëri vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur nga këta operatorë. Renditja përfundimtare, u është bërë e njohur operatorëve ekonomik pjesëmarrës në këtë procedurë. Në përfundim të afatit të ankimimit, rezultoi se nuk u paraqit asnjë ankesë nga operatorët pjesëmarrës.
Për sa më sipër, ju informojmë se procedura e prokurimit është zhvilluar në transparencë të plotë dhe në përputhje me ligjin.
Garantojmë opinionin publik se, Bashkia do të jetë gjithmonë transparente dhe më se e përgjegjshme në përdorimin e fondeve publike dhe sigurojmë se çmimi të cilit i referohet dega LSI Skrapar, është tërësisht abuziv dhe i pavërtetë.
Autoriteti Kontraktor (Bashkia Skrapar) në përllogaritjen e fondit limit i është referuar VKM nr. 629, datë 15.07.2015, “Për miratimin e manualeve teknike te çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre”. Sipas këtij manuali, njësia matëse e kurrizeve artificiale me lartësi 5cm, është copë, me çmim 15,042 leke për copë, pa TVSH. Duhet bashkimi i disa copave për të formësuar një pengesë rrugore, kjo e varur nga gjerësia e rrugës. Fondi limit i llogaritur në këtë procedurë ka qenë 166 copë x 15,042 lekë = 2,496,972 lekë pa TVSH, ose 2,996,366 lekë me TVSH. Oferta fituese për këtë procedure, është 13,000 lekë për copë pa TVSH, në total 2,158,000 lekë pa TVSH, ose 2,589,600 lekë me TVSH. Sipas të dhënave të mësipërme, nuk është aspak e vërtetë që çmimi për ketë procedurë prokurimi është përllogaritur 10 herë më shumë nga ai i manualit.
Bashkia, sikurse çdo institucion tjetër operon sipas çmimeve të manualeve të miratuara dhe në fuqi, dhe jo sipas çmimeve të gatuara në kuzhinën e LSI Skrapar, e cila ka si qëllim të vetëm dizinformimin e publikut. Me këtë rast, e ftojmë LSI dhe këdo të interesuar të vijë dhe të marrë informacionin e duhur për çdo procedurë që zhvillon Bashkia Skrapar.
Në përfundim, duke vlerësuar TV Ora News, dhe në respekt të misionit të tij për mirë informimin e publikut, do të dëshironim që përpara publikimit të këtij lajmi, krejtësisht të pavërtetë, të kishte marrë informacionin e nevojshëm nga Bashkia Skrapar, e cila mbetet gjithmonë e hapur për këdo të interesuar, qofshin këto edhe organe të medias.
Ju faleminderit.