Nisur nga situata e pandemisë së Covid-19, si dhe mbështetur në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nr.213 datë 31.03.2020 “Për marrjen e masave për parandalimin e infektimit nga Covid-19, të aplikuesve për ndihmë ekonomike”, njoftohet se aplikimet e reja për ndihmë ekonomike do të dorëzohen tek administratori shoqëror i njësisë ku bën pjesë përmes plotësimit të një formulari (shkarkoje këtu) që mund të plotësohet me shkrim dore ose  elektronikisht.
Në varësi të plotësimit të formularit, dorëzimi i tij bëhet:
* elektronikisht – në rastet kur formulari plotësohet elektronikisht dërgohet përmes e-mail tek posta elektronike e administratorët shoqëror të njësive ose bashkia
*postës – në rastet kur formulari plotësohet me shkrim dore dërgohet përmes shërbimit të postës tek administratori shoqëror i njësisë apo bashkia

Sipas urdhërit Nr.213 datë 31.03.2020 njoftohet si më poshtë:
1. Përjashtimisht, gjatë situatës së fatkeqësisë natyrore, aplikimet për ndihmë ekonomike sipas Vendimit nr.597 datë 04.09.2019 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike”, do të pranohen nga administratorët shoqërorë të njësive administrative në formë elektronike ose përmes shërbimit postar.

2. Deklarimet tre mujore të përfituesve të ndihmës ekonomike do të kryhen pas përfundimit të situatës së fatkeqësisë natyrore të shpallur për shkak të Covid-19.

3. Për familjet/individët që sipas legjislacionit në fuqi do të kryhej verifikimi i situatës social-ekonomike përmes vizitës në familje nga administratorët shoqëror të njësisë administrative, nën juridiksionin e së cilës janë banorë, verifikimet do të kryhen pas përfundimit të situatës së fatkeqësisë natyrore të shpallur të Covid-19.

4. Listat e aplikuesve dhe përfituesve të ndihmës ekonomike dhe të fondit 6% të Bashkive do të rregjistrohen dhe konfirmohen në formë elektronike ose përmes Sistemit të Menaxhimit të Informimit nga Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, për sa i përket rregjistrimit si punëkërkues të papunë.

5. Administratorët shoqërorë të njësive administrative mbajnë kontakte në formë elektronike/telefonike me aplikuesit, për t’u ardhur në ndihmë mbi plotësimin e aplikimit për përfitim të ndihmës ekonomike.

6. Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhëri Shërbimi Social Shtetëror dhe Bashkitë, si edhe për të bashkërenduar punën me Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi.