Dita e sotme shënon konkretizimin e kontratës së nënshkruar në 7 Shkurt 2020, me Shkëlqesinë e Tij Z. ITO Makoto, Ambasador i Japonisë në Shqipëri, përmes së cilës Bashkia Skrapar përfitoi një grant prej 76.320 (shtatëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e njëzetë) Euro, akorduar nga Qeveria Japoneze. Përpjekja jonë për një qytet më të pastër dhe administrim cilësor të mbetjeve do të lehtësohet së tepërmi, duke rritur kapacitetet tona me një mjet të ri të grumbullimit të mbetjeve, si dhe 103 kontenierë, të siguruara nëpërmjet këtij granti.
Në emër të Bashkisë Skrapar dhe të të gjithë komunitetit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadën e Japonisë në Tiranë, për Ambasadorin ITO Makoto dhe nëpërmjet tyre për Qeverinë Japoneze për këtë ndihmë me shumë vlerë, në kuadër të programit “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal”.
Nga sot, flamuri Japonez dhe logoja kuptimplote “From the people of Japan” do të jenë të pranishëm në rrugët e qytetit nën “shoqërinë” e logos së Bashkisë Skrapar, si dhe të një peizazhi të mrekullueshëm të kanioneve të Osumit.
Aq sa jam vlerësues për ndihmën e dhënë, po aq vlerësoj edhe fillimin e një bashkëpunimi të shëndetshëm me Ambasadën e Japonisë, i cili do të vijojë edhe me projekte të tjera, që ne si Bashki do të zhvillojmë në të ardhmen.
Është vërtetë kënaqësi të shohësh se si harta e ndihmës Japoneze në Shqipëri vjen duke u zgjeruar, jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe sa i takon natyrës së projekteve që Ambasada Japoneze ka financuar, duke iu përgjigjur kësisoj nevojave të komuniteteve të ndryshme.
Ndërsa Bashkia Skrapar është ndër Bashkitë që përfiton nga ndihma bujare e popullit Japonez, është detyrë e jona si Bashki të promovojmë Japoninë tek qytetarët tanë. “Të mendosh për të tjerët” është një nga vlerat themelore të shoqërisë Japoneze. Kjo ndihmë që po n’a dorëzohet sot, është reflektim i shkëlqyer i kësaj vlere, krahas shumë të tjerave që e kanë bërë këtë vend kaq të zhvilluar dhe të begatë sot në botë.
Së fundi, dëshiroj të falënderoj stafin lokal të Ambasadës së Japonisë, stafin e Bashkisë si dhe kompaninë TIMAK, ndërveprimi profesional mes të cilëve, bëri të mundur realizimin në kohë dhe me cilësi të kësaj kontrate, të financuar nga Ambasada e Japonisë.