Bashkia Skrapar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkruan në datën 03.06.2021, Marrëveshjen e Bashkëpunimit për hapjen e Këndit Arkivor në shërbim së studiuesve të Skraparit.
📌 Këndi Arkivor Skrapar është hapur në ambientet e bibliotekës së qytetit.
📌 Në hapjen e këtij Këndi Arkivor, të pranishëm ishin Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Prof.As.Dr. Ardit Bido, Kryetari i Bashkisë Skrapar Z. Adriatik Mema, Drejtore e Arkivit për Qarkun Berat Znj. Estela Gjoka, dhe Përgjegjsia e Qendrës Kulturore “Riza Cerova” Znj. Zylçe Hoxha, etj.
📌 Për ata që do të kërkojnë shërbimin që ofrohet në Këndin Arkivor Skrapar, procedurat janë të njëjta si në sallën e studimit në Tiranë, pa asnjë ndryshim.
📌 Në këtë kënd, përmes kësaj platforme, çdo person i interesuar, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i shtetit shqiptar, pa qenë e nevojshme të udhëtojë drejt sallës së studimit të DPA-së.
📌 DPA fton çdo qytetar që të përfitojë nga ky shërbim i ofruar duke respektuar rregullat e saj. Këndi Arkivor shërben vetëm për arsye studimore. Nëse dëshironi dokument pronësore, amza shkollore, vjetërsi pune e dokumente të tjera biografike, duhet të bëni aplikim pranë Postës Shqiptare ose në faqen kerkesa.arkiva.gov.al, jashtë Këndit Arkivor. Studiuesi gjatë kohës që shfrytëzon Këndin Arkivor është i detyruar të zbatojë rregulloren e Bibliotekës së qytetit të Skraparit.
📌 Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet nga çdo kompjuter me lidhje me internet, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, do të pajiseni në email-in tuaj me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jeni regjistruar, mund të porosisni dosjet që dëshironi të konsultoni, si në këtë Kënd Arkivor, ashtu edhe në çdo kompjuter tjetër që ka lidhje me internet, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Dosjet e porositura nga ju do të shërbehen ditën që keni përzgjedhur në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune. Nëse dëshironi të porosisni kopje dixhitale të një ose disa dokumenteve, ndiqni udhëzimet që ofron sistemi, përfshi edhe mënyrat e pagesës.