Në kuadër të bashkëpunimit me institucione shtetërore qendrore dhe lokale, në funksion të njohjes së veprimtarisë së tyre dhe të shkëmbimit të eksperiencës, një grup i Kursit të Lartë të Oficerit (KLO) të Forcave të Armatosura, zhvilloi një vizitë në Bashkinë Skrapar. Në përbërje të këtij grupi ishin oficerë të forcave të ndryshme (Tokësore, Ajrore dhe Detare), oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe stafi pedagogjik i Akademisë së Mbrojtjes.

Kursantët u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i Bashkisë, zoti Adriatik Mema, i cili në fjalën e tij vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura, të cilat përveç misionit të tyre kryesor, janë angazhuar intensivisht në përballimin e emergjencave civile apo fatkeqësive natyrore. Në këtë kontekst, ai nënvizoi edhe rastet e fundit të bashkëpunimit që FA kanë pasur me Bashkinë Skrapar.

Takimi vijoi më pas me një prezantim të përgatitur nga Bashkia, nëpërmjet të cilit të pranishmit u njohën me organizimin dhe funksionimin e Bashkisë si njësi e qeverisjes vendore, strukturën organizative  të saj, njësitë administrative në përbërje të bashkisë, çështje që kanë të bëjnë me buxhetin e bashkisë, taksat dhe tarifat vendore, investimet e realizuara vitet e fundit, përballimin e emergjencave apo fatkeqësive natyrore, etj.

Ky prezantim u ndoq me shumë interes nga kursantët, të cilët adresuan edhe pyetje konkrete që kishin të bënin me aspekte të tilla si: kapacitetet e bashkisë në mbledhjen e të ardhurave, planet e bashkisë lidhur me promovimin e turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit, kapacitetet lidhur me shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, bashkëpunimin me organe të tjera sa i takon përballimit të emergjencave civile, etj.

Pas takimit në Bashki, kursantët vizituan kanionet e Osumit, si destinacioni kryesor turistik në Skrapar. Duke shpresuar që kursantët të kenë kaluar një ditë interesante, Bashkia Skrapar shpreh vlerësimin e saj për këtë vizitë shumë domethënëse  të përfaqësuesve të Forcave të Armatosura.