Në  kuadër të bashkëpunimit të frytshëm të vendosur tashmë me kompaninë Trans Adriatik Pipeline (TAP), Bashkia Skrapar ka përfituar së fundmi një automjet zjarrfikës me kalueshmëri të lartë, i cili i është bërë pjesë e kontingjentit të mjeteve në përdorim nga Sektori i Shërbimit të MZSH-së, duke rritur cilësisht kapacitetet e këtij shërbimi.

Sektori i Shërbimit të MZSH-së, do të ketë, kësisoj, mundësinë të përballojë më mirë situatat e emergjencës civile nga zjarret apo aksidentet. Ky automjet, i pajisur me të gjithë artikujt e nevojshëm të mbrojtjes dhe shpëtimit nga zjarri, ju dhurua Bashkisë Skrapar në prag të festave të fund vitit, në një ceremoni, në të cilën ishin të pranishëm  përfaqësues të  kompanisë Trans Adriatik Pipeline, Kryetari i Bashkisë z. Adriatik Mema, si dhe  të gjithë punonjësit e Sektorit të Shërbimit të MZSH-së.

Në vijim, sipas marrëveshjes së nënshkruar mes dy palëve, në pranverën e  këtij viti,  Bashkia Skrapar, do të përfitojë nga Kompania Trans Adriatik Pipeline edhe një mjet tjetër zjarrfikës, i përshtatshëm për  situata emergjente në zonat me reliev më të thyer malor.

Këto automjete i shtohen, kështu, fondit të asistencës së vazhdueshme që TAP ka dhënë për Bashkinë Skrapar ku, ndër më kryesoret, do të përmendnim: ndërtimin e kopshtit të ri në qendër të qytetit, ndërtimin e stacionit të pompave të ujësjellësit të qytetit, rikonstruksionin e shkollës 9-Vjecare Therepel, sistemim dhe asfaltim të disa segmenteve rrugore, ndriçimin e hyrjes së qytetit, etj.

Bashkia Skrapar, përfiton nga rasti t’i shpreh  Kompanisë Trans Adriatik Pipeline dhe stafit të saj menaxherial në Shqipëri, mirënjohjen e thellë për këtë ndihmë të çmuar,  në funksion  të sigurisë së jetës  dhe pronës së banorëve të saj.