Me financim të GIZ, po punohet për rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve në Bashkinë Skrapar. Punimet në këtë objekt, të cilat janë tashmë drejt përfundimit, synojnë jo vetëm zgjerimin në masë të konsiderueshme të hapësirës në të cilën administrohen mbetjet, por edhe pajisjen e këtij venddepozitimi me masa mbrojtëse të cilat zvogëlojnë ndikimin e mbetjeve në tokë, ajër dhe ujë, në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të banorëve. Falë këtyre punimeve, Bashkia mund të përdorë në mënyrë më të sigurt dhe të kontrolluar venddepozitimin për një kohë të caktuar, deri në gjetjen e një zgjidhjeje më afatgjatë. Punimet rehabilituese në këtë venddepozitim janë pjesë e prioriteteve të Bashkisë sa i takon administrimit cilësor të mbetjeve urbane. Në vijim, Bashkia po harton një projekt të veçantë sa i takon rehabilitimit të venddepozitimit të mbetjeve të ngurta. Bashkia Skrapar vlerëson lart dhe falënderon GIZ për financimin e këtij projekti me shumë vlerë për komunitetin tonë. Një falemderim i veçantë, po ashtu, për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për mbështetjen e ofruar në realizimin e tij.