Në kuadër të projekteve IPA Greqi-Shqipëri 2014-2020, me financim nga BE, Bashkia Skrapar realizoi me sukses projektin “LESS Waste II”. Realizimi i këtij projekti, vjen si një risi, jo vetëm për Bashkinë Skrapar, por dhe në të gjithë vendin, pasi për herë të parë mbetjet organike do të kompostohen, duke gjeneruar pleh organik , i cili më pas do të përdoret për të mbuluar nevojat e Bashkisë, në sektorin e gjelbërimit.

Për të realizuar kompostimin e mbetjeve, Bashkia realizoi me sukses procesin e ndarjes së tyre në burim, nëpërmjet blerjes dhe vendosjes së koshave me kapacitet 240 dhe 120 litrash (në total 100 të tillë) pranë bareve dhe restoranteve të cilët gjenerojnë këto mbetje. Këtij qëllimi i shërbeu blerja e një makinerie kompostimi “Rocket A 900”, e njëjtë me ato që përdoren në vende me standarde të larta në fushën e trajtimit të mbetjeve, (e para e këtij lloji në vendin tonë), e cila u vendos në një ambient të ndërtuar enkas për funksionin e mësipërm. Kjo makineri, ka filluar procesin e kompostimit të mbetjeve organike dhe shume shpejt, produktet e saja do të përdoren për të mbuluar nevojat e bashkisë, në sektorin e gjelbërimit.

Përveç  ndarjes së mbetjeve në burim dhe kompostimit të tyre, realizimi i këtij projekti pati një efekt pozitiv dhe në menaxhimin më të mirë të mbetjeve, gjë që u realizuar nëpërmjet blerjes dhe vendosjes së 100 koshave me kapacitet 1100 litrash në të gjithë territorin e Bashkisë.

Menaxhimi i mbetjeve është një nga sektorët proritarë të punës së Bashkisë, pasi një kontroll dhe menaxhim sa më i mirë i tyre ndikon në cilësinë e jetesës së komunitetit. Në këtë kontekst, Bashkia po punon që ndarjen e mbetjeve në burim ta shtrijë në të gjithë qytetin.

Bashkia Skrapar falënderon të gjithë partnerët vendas dhe të huaj (Qendrën e Menaxhimit të Mbetjeve DIADYMA SA, Qendrën e Kërkimit dhe Teknologjisë Greke CERTH, Bashkitë  Grevena dhe Kastoria, Institutin e Kërkimit Urban në Tiranë URI) për pjesëmarrjen dhe asistencën e vyer në realizimin e suksesshëm të këtij projekti, me shumë interes për komunitetin tonë. Një falënderim të veçantë për stafin e Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për mbështetjen e ofruar në çdo hap të realizimit të këtij projekti.