Në praninë e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, përfaqësueses së GIZ, znj. Christine Koening, dita e djeshme shënoi përfundimin e punimeve në vend depozitimin e mbetjeve urbane në qytetin e Çorovodës. Punimet në këtë vend depozitim, të cilat u financuan nga qeveria Gjermane përmes GIZ, synojnë të sjellin atë në parametrat bashkëkohorë të administrimit të mbetjeve urbane. Në takimin e zhvilluar në Bashkinë Skrapar, kryetari i Bashkisë, z. Adriatik Mema, vlerësoi asistencën e GIZ si dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për këtë projekt me shumë impakt për komunitetin. Në vijim, z. Mema u ndal tek prioritetet e Bashkisë Skrapar, sa i takon zhvillimit të turizmit, ruajtjes së mjedisit dhe administrimit të mbetjeve urbane dhe të ngurta. Ai vlerësoi, po ashtu, asistencën e dhënë në këtë drejtim edhe nga organizata apo institucione të tjera, si dhe koordinimin eficent të realizuar nga Bashkia, me qëllim maksimizimin e asistencës së ofruar dhe evitimin e mbivendosjeve të panevojshme. Synimi i Bashkisë është që ky vend depozitim të përdoret më pas, si vend transferimi i mbetjeve, në kuadër të projektit rajonal në nivel Qarku, për menaxhimin e përqendruar të mbetjeve urbane. Nga ana e saj, Ministrja Kumbaro, pasi vlerësoi punën e bërë deri tani nga Bashkia Skrapar, si dhe asistencën e GIZ, apo të donatorëve të tjerë, vuri theksin në atë çka përbën edhe sfidën më të madhe për të ardhmen: ndarjen e mbetjeve në burim, edukimin e banorëve për këtë gjë, përpjekjet që duhen bërë në vazhdimësi sa i takon reduktimit të mbetjeve, pastërtisë dhe mirëmbajtjes së destinacioneve turistike në Skrapar. Këto të fundit, sipas Ministres, duhet të jenë gjithmonë përparësi e punës së Bashkisë, me qëllim që vizitorët, vendas apo të huaj, të gjejnë atje pritshmëritë e tyre: një mjedis sa atraktiv aq edhe të pastër e të mirëmbajtur. Ruajtja e mjedisit në Malin e Tomorrit, (ndër destinacionet kryesore turistike) ishte po ashtu, një çështje tjetër e trajtuar nga Ministrja Kumbaro, kjo edhe për shkak të numrit gjithnjë e në rritje të vizitorëve në vendin e shenjtë, të cilëve lipset t’u krijohen kushtet dhe lehtësitë e nevojshme për të shijuar bukuritë e rralla që Mali i Tomorrit ofron për ta.