Në zbatim të Planit Kombëtar të Pastrimit, dita e djeshme ka zhvendosur, për rreth dy orë, në terren stafin e Bashkisë Skrapar dhe të gjithë strukturat e saj vartëse. Aksionit të djeshëm iu bashkuan edhe institucione të tjera vendore, si: shërbimi spitalor, zyra vendore e arsimit, shërbimi parësor shëndetësor, etj. Ndërsa e veçanta e kësaj dite ishte pjesëmarrja e fëmijëve të kopshteve si dhe nxënësit e shkollave 9-Vjeçare dhe asaj të mesme të qytetit. Të gjitha grupeve pjesëmarrëse në këtë aksion, sipas një plani të përgatitur nga Bashkia, iu caktuan edhe zonat për pastrimin e të cilave këto grupe do të angazhoheshin. Kujdes i posaçëm u tregua në pastrimin e zonave përreth destinacioneve turistike, përreth objekteve shkollore, spitalore, ashtu si edhe segmenteve në hyrje të qytetit, apo blloqe banimi.
Mbajtja pastër e këtyre ambienteve mbetet një prioritet i Bashkisë, çka bëhet edhe më e domosdoshme me afrimin e sezonit turistik. Në këtë kontekst, Bashkia apelon të gjithë qytetarët, veçanërisht bizneset e shërbimit, të ndërgjegjësohen më shume dhe të tregojnë kujdes të shtuar në mbajtjen pastër të ambientit, kjo së pari në interes të shëndetit të banorëve por edhe mbarëvajtjes së bizneseve të tyre. Bashkia dhe të gjitha strukturat e saj do të vijojnë çdo ditë të jenë në terren në funksion të përmbushjes së detyrimeve për pastrimin pa asnjë vonesë të të gjitha ambienteve publike.
Bashkia gjen rastin të falenderojë të gjitha strukturat që morën pjesë dhe kontribuan në aksionin e djeshëm. Një falenderim i veçantë shkon për fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave te cilët modestish u bënë pjesë e këtij aksioni. Edukimi dhe ndërgjegjësimi për një ambient të pastër, nis në kopshte dhe shkolla, ndaj vogëlushët dhe nxënësit iu bashkuan nismës sonë.
Ky aksion do të vijoje çdo muaj në Bashkinë tonë, pasi një “Ambient i pastër = shëndet”