Dita Europiane e Gjuhëve është dita e përvitshme për të festuar dhe për të inkurajuar mësimin e gjuhëve në të gjithë Europën. Kjo ditë është vlerësuar si një ditë gjithë përfshirëse, e cila mbështet nxënësit që të arrijnë potencialet e tyre dhe të luajnë një rol aktiv në shoqëritë e ndryshme dhe demokratike.

Në sajë të kësaj dite të veçantë, nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi”, organizuan sot në ambientet e shkollës, një aktivitet në të cilin përcollën mesazhin se mësimi i gjuhëve të huaja është jo vetëm një festë por edhe një nevojë për të ardhmen. Nxënësit kishin përgatitur disa materiale në gjuhë të ndryshme, nëpërmjet të cilave shprehën bindjen se diversiteti gjuhësor është një mjet për të arritur një mirëkuptim më të madh ndërkulturor dhe një element kyç në trashëgiminë e pasur kulturore të kontinentit tonë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Skrapar, mësues dhe nxënës të shkollës, ku fokusi kryesor ishte nxitja për përvetësimin e gjuhëve të huaja gjatë programit mësimor, si dhe në mënyrë autodidakte, duke i dhënë mundësinë gjithsecilit për të vlerësuar dhe promovuar të gjitha gjuhët dhe kulturat në Europë.