Muaji Tetor është cilësuar si muaji kundër luftës për trafikimin e qenieve njerëzore. Andaj si i tillë, Bashkia Skrapar ka ndërmarrë nismën e fushatës sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese nëpërmjet aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë gjithë muajit Tetor. Kështu sot më datë 11.10.2022, u organizua takimi i Tryezës Teknike, i cili do të inicionte këtë fushatë në kuadër të muajit antitrafik. Në këtë takim ishin të pranishëm anëtarë të grupit teknik multidisiplinar dhe aktorë të tjerë në luftën antitrafik.
Në fjalën e saj të hapjes, Drejtore e Shërbimit Social, Arsimit, Sportit, Kulturës dhe Rinisë në Bashki, Znj. Kamela Nako vuri theksin tek rëndësia e ndërmarrjes së një angazhimi të përbashkët në luftën kundër trafikimit të personave, si dhe përcjelljes së mesazheve të forta sensibilizuese për rreziqet që sjell trafikimi, rrugët dhe format që duhet të ndjekim për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut, në veçanti të grupeve vulnerabël.
Gjatë takimit u diskutua nga të gjithë aktorët, mbi fenomenin e trafikimit, format e tij, mënyrat e raportimit dhe demonstruan angazhimin e tyre në identifikimin dhe parandalimin e trafikimit të personave dhe në veçanti të fëmijëve. Gjithashtu, theksi u vu në gjetjen e metodave që duhen përdorur për një bashkëpunim ndërinstitucional jo vetëm për takime të tilla por edhe në raste konkrete.