Që nga fillimi i kësaj jave, Bashkia ka filluar zbatimin e projektit për nxitjen e zhvillimit të blegtorisë në Njësinë Administrative Potom, financuar nga Bashkimi Evropian. Ky projekt synon nxitjen e zhvillimit blegtoral në këtë njësi, banorët e së cilës e mbështesin ekonominë e tyre familjare tek blegtoria. Në terma më konkretë, pjesë e këtij projekti janë, ndër të tjera edhe ndërtimi i lerave, ndërhyrje në disa stane, sigurimi i pajisjeve për administrimin e qumështit, etj. Në kontekstin e mësipërm, ditën e djeshme , në Nj.A Potom, zhvillua një takim me blegtorët e kësaj njësie. Në takim merrte pjesë kryetari i Bashkisë, Administratori i Nj.A Potom, si dhe përfaqësues të organizatës “Njerëz dhe Ide”, e cila është partnere e Bashkisë në realizimin e këtij projekti. Kryetari i Bashkisë bëri një prezantim të projektit, qëllimet e tij, mënyrën e realizimit, si dhe përfituesit e drejtpërdrejtë të tij. Në këtë takim, blegtorët e pranishëm prezantuan problematikat që ndeshin në punën e tyre të përditshme, si dhe nevojat e tyre kryesore, që mund të përmbushen përmes realizimit të këtij projekti. Në bashkëpunim të afërt me ta, do të përcaktohen edhe vendet më të përshtatshme për ndërtimin e lerave të ujit, me qëllim që ato t’ju vijnë në ndihmë sa më shumë blegtorëve në zonë. Referuar edhe shtrirjes gjeografike të kësaj Njësie, si dhe numrit të tufave në fshatra të ndryshëm, u ra dakord që gjatë zbatimit të projektit, të ketë një shpërndarje sa më të drejtë sa i takon vendndodhjes së lerave, staneve në të cilët do të ndërhyhet, apo pajisjeve që do t’ju vihen në dispozicion blegtorëve të kësaj Njësie. Zbatimi i këtij projekti do të vijojë sipas fazave të përcaktuara dhe në bashkëpunim të ngushtë me blegtorët e kësaj njësie, si përfitues direkt të tij. Bashkia, gjen rastin të falënderojë blegtorët e pranishëm në këtë takim, duke i siguruar se do të bëjë gjithçka të mundur në mbështetje të veprimtarisë së tyre në të ardhmen.