Fjala e Kryetarit të Bashkisë Skrapar në ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor. Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Ramiz Aranitasi” Çorovodë

Të dashur nxënës dhe prindër,

Të nderuar kolegë mësues,

Është kënaqësi e vecantë për mua të jem sot këtu, për t’ju uruar një vit të mbarë

shkollor. Uroj të keni kaluar pushime relaksuese dhe të jeni tashmë gati për sfidën

që ju pret këtë vit. Kam zgjedhur të vij në këtë shkollë, jo thjesht për shkak të

detyrës që mbaj, por të jem i sinqertë edhe për nostalgji. Kam pasur fatin të punoj

për disa vite në këtë shkollë, të cilat janë të paharruara në gjithë vitet e mia të

punës. Ish nxënësit e mi të atyre viteve, janë sot të suksesshëm në profesionet e tyre

dhe janë në të njëjtën kohë ndër miqtë e mi më të mirë. Kjo është diçka që i jep

kënaqësi çdo mësuesi. Ndaj, edhe unë uroj që kjo gjë të ndodhi me ju mësues dhe

nëxënës të kësaj shkolle.

Gjimnazi Ramiz Aranitasi është dhe duhet të jetë një institucion elitar i arsimit në

Bashkinë tonë. Që nga dita e parë çeljes së tij, ai ka edukuar breza të tërë të

suksesshëm në të gjitha disiplinat dhe profilet. Individë të cilët kanë bërë emër në

profesionet e tyre, jo vetëm në Skrapar, por edhe në shkallë vendi, madje edhe

jashtë vendit, kanë mësuar në këtë shkollë. E tillë, elitare dhe në pararojë, duhet të

vazhdojë të jetë kjo qendër arsimore për Skraparin. Përfitoj nga rasti të shpreh

respektin dhe mirënjohjen time për gjitha ata mësues që ndër vitë kanë punuar

me pasion, përkushtim dhe profesionlizëm në këtë shkollë.

Numri i të regjistruarve në konviktin e kësaj shkolle këtë vit dëshmon se ky

gjimnaz nuk i përket më vetëm qytetit të Çorovodës, por të gjithë Skraparit. Ndaj

nga ky oborr kam kënaqësinë tju uroj gjithë nxënesve, prindërve të tyre dhe

mësuesve,  një vit  sa më të sukseshëm mësimor.

Mësimdhënia është një profesion, i cili gjithmonë sjell shpresë dhe mundësi. Ju si

mësues prisni shumë nga nxënësit tuaj, por edhe këta të fundit presin kujdes,

përkushtim dhe profesionalizëm të lartë nga ju. Prindërit e tyre, që sakrifikojnë aq

shumë, po ashtu kanë pritshmëri të larta ndaj jush. Ndaj asnjëra palë kurrë nuk

duhet të lodhet së bëri punën e vet në lartësinë që e dikton dinamika e zhvillimit të

sotëm shoqëror. Mësuesit, nxënësit dhe prindërit duhet të jënë një trinom i pandarë,

pasi të gjithë punojnë për një qëllim të vetëm. Një gjë nuk duhet harruar asnjëherë.

Për ju nxënës, arsimi është pasaporta drejt së ardhmes. Ndaj sa më shumë të punoni

sot aq më e mirë dhe e sigurtë do të jetë e ardhmja juaj nesër, aq më të përgatitur do

të jeni për sfidat e panumërta që ju presin. Jo më kot Aristoteli thoshte se “rrënjët e

arsimimit janë të hidhura (dhe më të ai nënkuptonte punën e madhe) por frutet e saj

janë të ëmbla.

Bashkia e Skraparit, si pushtet vendor do të bëjë çdo gjë të mundur për t’ju

mbështetur në këtë proçes kaq të rëndësishëm. Shumë shpejt, Bashkia do të

realizojë një investim serioz sa i takon rehabilitimit të ambienteve të jashtme të

shkollës tuaj, për ta sjellë atë në parametrat dhe standardet më të mira që një

shkollë e tillë dhe ju, mësues dhe nxënës, meritoni. Si kryetar bashkie, për shkak

edhe të profesionit tim, do të jem gjithmonë e më pranë mësuesve dhe nxënësve.

Do ta përfundoja këtë fjalë përshëndetëse, duke cituar një moshataren tuaj, 16

vjeçe, nga Pakistani, e cila duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve

të Bashkuara tha: “Një nxënës, një mësues, një libër dhe një penë, mund të

ndryshojnë botën”. Një thënie shumë kuptimplotë, që vetëm në një rresht

përmbledh shumë. Ju jeni e ardhmja e kësaj bote, ju do ta ndryshoni atë. Ju dhe

bashkëmoshatarët tuaj do ta bëni Shqipërinë më të mirë, më të begatë.

Shijojini vitet e shkollës së mesme, pasi janë të paharruara në kujtesën e secilit prej

jush. Mësoni shumë, por edhe argëtohuni, merruni me sport, respektojini mësuesit

tuaj, por po ashtu respektoni, ndihmoni dhe mbështesni njëri-tjetrin, zhvilloni

shoqëri të sinqertë. Është gjëja më e mirë që mund të bëni. Bëhuni qytetarë të denjë

të këtij vendi.

Edhe njëhërë, ju uroj një vit shkollor plot suksese!

Ju faleminderit!

Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Bashkisë Skrapar z. Adriatik Mema


Të nderuar anëtarë të Këshillit të Bashkisë,

I nderuar Ministër Klosi,

I nderuar Zoti Shameti, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë,

E nderuar Zonja Kuko, Zëvendësministre e Brendshme,

I nderuar Zoti Hodaj, Zëvendësministër i Brendshëm,

E nderuar Zonja Prefekte e Qarkut Berat,

Të nderuar Zonja dhe  Zotërinj,

Ndihem jashtëzakonisht i nderuar dhe i privilegjuar t’ju drejtohem sot me këtë fjalë përshëndetëse, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë.

Që në krye të herës, dëshiroj të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time të thellë për të gjithë qytetarët e Skraparit, për mënyrën se si e pritën kandidaturën time, si dhe besimin që më dhanë, duke më votuar në 30 Qershor.

Me pjesëmarrjen e tyre në këtë proces zgjedhor, ata konfirmuan vlerat dhe qytetarinë, që i ka karakterizuar gjithmonë.

Të jem i sinqertë, të jesh Kryetar i një Bashkie, nuk është diçka që i ndodh çdo kujt dhe nuk ndodh shpesh. Unë  kam dashur të isha i tillë. Për këtë arsye, si Kryetari i shtatë i Bashkisë, qëndroj sot përpara jush dhe përpara çdo qytetari të Skraparit me respektin dhe përuljen që secili prej tyre meriton.

Besimi që na është dhënë, mua si kryetar,  por edhe ju si këshilltarë, dhe përmes jush Partisë Socialiste, nuk duhet konsideruar asnjëherë, thjesht si një dhuratë. Përkundrazi, të gjithë ata që na kanë votuar na kanë deleguar, për një kohë të caktuar, të drejtën e përfaqësimit.

Është detyrimi ynë t’i përfaqësojmë ata, por edhe ata të cilat nuk na kanë votuar, dhe t’ju shërbejmë me dinjitet dhe të ushtrojmë me përgjegjshmëri maksimale detyrat që na janë ngarkuar. Ne duhet të jemi të gjithë mirënjohës, por edhe të vendosur për të punuar shumë, për të provuar se besimi që na është dhënë ja ka vlejtur.

Ndaj, që sot, ne duhet të nisim një kapitull të ri, për ta ringritur Skraparin në lartësinë që meriton. Nga sot, Bashkia do të jetë e të gjithëve dhe në shërbim të të gjithëve, pa asnjë dallim. Ne nuk kemi aspak luksin të humbasim kohë. Duhet punë, punë dhe vetëm punë. Duhet të vlerësojmë arritjet, por edhe të jemi më ambiciozë për të bërë dhe arritur më shumë.

Në këtë moment, teksa ju shoh të gjithëve, mendoj se çfarë na pret përpara dhe se çfarë mund të bëjmë të gjithë së bashku. Ne kemi shumë sfida përpara, të cilat unë nuk mund t’i përballoj i vetëm, as edhe brenda një dite.

Ndaj, jam më se i vendosur të bashkëpunoj me këshillin e ri që u konstitua sot, si dhe me të gjithë ata që duan një Skrapar më të mirë dhe më të përparuar. Ajo që premtoj sot, është të vendos respektin për këdo në qendër të punës time, t’ju informoj ju si anëtarë të këshillit, por dhe të dëgjoj me vëmendje idetë tuaja.

Nuk jemi këtu për të festuar fitoren politike timen si individ, as tuajën si anëtarë të këshillit, por për të dëshmuar se dimë të ruajmë dhe çojmë përpara vlerat e këtij qyteti, vlerat e të gjithë Skraparit.

Ne marrim drejtimin e Bashkisë pas 12 vjetësh qeverisje nga një parti tjetër. Ndaj, kemi shansin e artë, të dëshmojmë se ne dimë t’i bëjmë gjerat më mirë, dimë t’i menaxhojmë financat publike më mirë, në funksion të prioriteteve zhvillimore që do të paraqesim shumë shpejt, të cilat do të sjellin një perspektivë të qartë për komunitetin.

Me mbështetjen e qeverisë, do të bëjmë të mundur prezantimin e një fryme transformuese me impakt të dukshëm në Skrapar. Bashkia e Skraparit do të marrë një dimension krejt të ri, me vizion të qartë drejt së ardhmes, për ta bërë Skraparin të mirë jetueshëm për banorët e tij, por gjithnjë e më shumë të vizitueshëm për këdo që dëshirojnë të shijojnë bukuritë e tij.

Zonja dhe zotërinj,

Sa thashë më sipër, nuk do të thotë se ne po nisim gjithçka nga pika zero. Absolutisht jo. Unë jam vlerësues për shërbimin dhe punën që kanë bërë para rendësit e mi në këtë post të nderuar.

Ndaj, dua ta shfrytëzoj këtë mundësi, të shpreh falënderimet e mija të sinqerta për të gjithë ata, pa përjashtim, duke filluar nga zoti Fitim Nurellari, z. Luan Bregu, z. Ylli Mekollari, z. Avdyl Arra, i ndjeri z. Lefter Lame dhe së fundi z. Nesim Spahiu.

Do të doja shumë, që ky i fundit të ishte sot i pranishëm në këtë ceremoni. Prania e tij, do ta bënte më të plotë një event të tillë. Pavarësisht se kjo gjë, nuk cënon aspak dinjitetin dhe solmentitetin e një ceremonie të tillë. Kjo është tërësisht në dorën tonë.

Së fundi, dëshiroj të shpreh edhe diçka, që mund të tingëllojë paksa ndryshe, por që e quaj normale në raste të tilla.

Në këtë sallë, unë kam prindërit e mi, në moshë të tretë dhe vëllain tim, i cili ka qenë më mua në çdo moment të kësaj fushate zgjedhore. Ata më kanë mbështetur shumë. Dua t’ju them se, ashtu sikurse kam bërë në çdo hap të karrierës time të deritanishme, do t’ju bëj edhe më krenarë nga kjo detyrë e lartë që po marr sot.

Janë sot me mua edhe më të dashurit që unë kam, ime shoqe, Violeta së bashku me dy vajzat tona, Albora dhe Gleda, të cilat që kurse ishin të vogla thoshin me zë të lartë, “unë jam nga Skrapari”. Ato më kanë mbështetur, deri në sakrificë, në çdo detyrë që unë kam ushtruar. Pa mbështetjen tuaj nuk do isha këtu sot.

Unë kandidova pse e dua shumë Skraparin, ndaj jam i vendosur të bëj gjithçka të mundur për të mirën dhe progresin e këtij komuniteti të mrekullueshëm, i cili meriton shumë më tepër.

Zoti më ndihmoftë!

Ju faleminderit të gjithëve.