FLAG në Bashkinë Skrapar – Projekti financim i SECO do të sjellë një risi në menaxhimin e mbetjeve në Skrapar

Të hënën 29 Tetor 2018, në Bashkinë Skrapar u zhvillua takimi i radhës  me përfaqësues të Flag (Fondacioni për Autonomi Vendore dhe Qeverisje) të cilët po asistojnë në ndihmësa dhe kapacitete konkretizimin e një granti prej 2.2. milion franga zviceriane që SECO po synon për disa bashki në qarkun Berat me qëllim një Menaxhim më të mirë të Mbetjeve. Më herët, Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu priti përfaqësuesit e Infrastruktur & Umwelt z. Gernold Dilewski, Përfaqësuesen e Fondacionit për Autonominë Vendore dhe Qeverisje znj.Alba Dakoli Wilson dhe Menaxheren rajonale të projektit znj. Mirela Buhuri. Në fjalën e tij, Kreu i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu falenderoi për mbështetjen konkrete që nisma të tilla kanë në vendin tonë por specifikisht u ndal në rëndësinë që ka implementimi për zonën e Skraparit dhe komunitetin tonë. Në takim morën pjesë edhe administratorët e njësive të Bashkisë Skrapar. Për projektin ka disa kohë që punohet intesivisht dhe rezultati i parë i pritshëm do të jetë për Njësinë Administrative Gjerbës, si dhe fshatrat përgjatë segmentit Gjerbës – Skrapar. Gjatë fjalës z.Dilewski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve të këtij projekti si dhe rolin bashkëpunues me komunitetin për suksesin e këtij projekti. Përfaqësuesja e Flag znj.Alba Dakoli Wilson vlerësoi hapat e masave afatshkurtra që duhen ndërmarrë në vijim. Në pjesën e dytë të një axhende të gjatë ditore, diskutimet vijuan në nivel teknik me përfaqësuesit e programit dhe grupit të kompetencave të Bashkisë Skrapar për këtë qëllim. Projekti për Bashkinë tonë po ndiqet nga një ekip teknik në përbërje të së cilit janë Rudina Llango (nënkryetare e Bashkisë Skrapar), Bledar Met’hoxha dhe Sonila Hysenbelliu ( Sektori i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit) dhe Ernest Ymeri. Në fillim të muajit nëntor priten disa takime në nivelin e monitorimit lokal të projektit në Bashkinë Skrapar. Kujtojmë se në 1 Nëntor 2017, një vit më parë Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike SECO dakortësoi një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe 4 Bashkive të Qarkut Berat ku do të investohen në total 2.2 milion franga zviceriane për Menaxhimin e Mbetjeve. Një pjesë e kontributit do të garantohet nga vetë Bashkitë pjesëmarrëse në këtë nismë.

Përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri znj.Nadia Kyuchukova viziton Bashkinë Skrapar – Nxitje për Aplikime nga Fermerët e Zonës dhe mbështetje financiare për aplikantët

Një takim u zhvillua në mesjavë në mjediset e Bashkisë Skrapar ndërsa në fokus ishte Mbështetja Konkrete që Bashkimi Evropian do të bëj për sektorin e agrokulturës në Skrapar. Ndërsa së shpejti priten që hapen aplikimet dhe të bëhen të ditura kriteret për mbështetjen financiare që do t’u jepet fermerëve dhe investimeve në agrokulturë, Bashkia Skrapar pranë zyrës së posaçme të Këndit të BE do të japë edhe konsulencat dhe mënyrat e aplikimeve të suksesshme që të gjithë fermerët të kenë mundësinë të përfitojnë nga skemat financiare që do akordohen në zhvillimin e sipërmarrjeve. Më herët, përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri znj.Nadia Kyuchukova zhvilloi një takim konsultativ mbi nxitjen dhe sensibilizimin e fermerëve në zonën tonë.
Gjatë fjalës së saj znj.Kyuchukova theksoi rëndësinë e këtij proçesi në mënyrë që produktet lokale të Skraparit të depërtojnë me standarte sigurie dhe çertifikimi në tregun evropian si dhe njëherësh mbështetjen e koncept-ideve, planeve të biznesit etj forma që çojnë në zhvillimin agrokultural. Drejtuesja Ekzekutive e Programit BPE “Bashkitë për në Evropë” znj.Jolanda Trebicka theksoi ndër të tjera rëndësinë e projektit në mënyrë të tillë, që kur thirrjet për aplikim të hapen, fermerët të jenë të informuar mbi hapat dhe nismat që duhen ndjekur. znj.Trebicka shprehu falenderimet për Nivelin e lartë të performancës që ka Koordinatorja lokale  dhe Koordinatorja BackUp pranë Këndit të BE në Bashkinë Skrapar. Takimi u shoqërua me pyetje dhe diskutime të ndryshme mbi skemat e financimit dhe metodologjinë favorizuese që do të ketë për zonat malore ndërsa përfaqësuesit e Bashkisë Skrapar treguan gadishmërinë për mbështetjen e këtyre nismave dhe kërkuan proçedura sa më lehtësuese për të nxitur aplikimet e fermerëve nga çdo zonë e Skraparit. Me theksin tek produktet tipike të zonës, Ass.Prof. Florenc Kurtolli theksoi rëndësinë që kanë standartet e patentuara, çertifikimet ISO dhe detajet që duhet të ofrojnë siguri në tregun evropian. Sipas z.Kurtolli, fermerët e produkteve tipike në zonën e Skraparit duhet të zgjerojnë mundësitë që produktet e tyre të kenë sukses në tregun evropian duke respektuar standartet, krijuar brandet, markat dhe mbi të gjitha siguri. Në fund të takimit përfaqësuesja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri znj. Nadia Kyuchukova dhe Drejtuesja Ekzekutive e Programit “Bashkitë për në Evropë” vlerësuan pozitivisht takimin dhe shprehën konsiderata të larta për vizionin e Bashkisë Skrapar në nxitjen dhe përkrahjen e këtyre nismave.