E nderuar Zonja Ibro,
Të nderuar Anëtarë të Këshillit të Bashkisë Skrapar,
Të nderuar mësues, ish nxënës, bashkëkohës të z. Ibro,
Të nderuar familjarë dhe të afërm të Z. Xhafer Ibro,
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim, i cili mbart një simbolikë të veçantë, nderimin pas vdekjes të zotit Xhafer Ibro, një individ me përmasa të gjithanshme: një mësues i spikatur për aftësitë e tij novatore, një bashkëshort, familjar dhe prind model, një mik i vyer për gjithkënd që ndërveproi me të, një njeri modern në idetë që mishëronte, një qytetar i rrallë dhe shumë i përparuar për kohën që jetoi, sa i takon mesazheve që përcillte me punën, performancën dhe sjelljen e tij kudo që shërbente apo ndodhej.
Kam zgjedhur këtë oborr shkolle, pse këtu, ai jo vetëm punoi në vitet e para të pas mbarimit të universitetit, por edhe shfaqi gjithë aftësitë dhe dhuntitë e tij në fushën e mësimdhënies në lëndën e matematikës, me të drejtë e cilësuar si mbretëresha e shkencës.
Dëshiroj në krye të herës të shpreh mirënjohjen time për Këshillin e Bashkisë, anëtarët e të cilit e miratuan në unanimitet të plotë propozimin tim për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi i Skraparit” z. Xhafer Ibro.
Ky vendim i Këshillit është pasuar nga dhjetëra e dhjetëra mesazhe mbështetëse të dërguara nga qytetarë të të gjitha kategorive: mësues, ish nxënës të Xhafës, bashkëkohës të tij, të cilët me fjalë zemre, në ato se çfarë shkruanin, sikur donin të thoshin “jemi edhe ne pjesë e këtij procesi nderimi”
Jam shumë i emocionuar ndërsa mbaj sot këtë fjalë, për një njeri shumë dimensional, të cilin e kam njohur personalisht, madje nuk kam pse e fsheh, jam një përfitues i mbështetjes së tij në rrugëtimin tim për të ecur në jetë, për të arritur këtu ku jam.
Teksa caktova datën për këtë ceremoni, kam kontaktuar shumë njerëz që në një mënyrë apo një tjetër e njihnin Xhafën. Me qëllimin, për të më ndriçuar më mirë dhe për t’i bërë të gjithë ata bashkautorë të kësaj fjale, ju kam bërë atyre një pyetje: “si e kini njohur ju Xhafer Ibron?”. Ja disa nga përgjigjet që kam marrë: “I avancuar për kohën”, “mësues erudit dhe i dashur për nxënësit”, “talent dhe me kulturë qytetare”, “jam me fat që kam marrë dije dhe kulturë nga Xhafa”, “person më vlera dhe ideale të larta”, “të gjithë ata që ai ka mësuar nuk kanë për ta harruar kurrë Xhafën, mësuesin e matematikës”.
Si mësues pasionant, ai u shqua për krijimin e një kabineti modern të matematikës në gjimnazin e Çorovodës, çka nxiti opinionin e shumë mësuesve të kësaj lënde në të gjithë vendin, për të ardhur dhe parë nga afër atë çfarë Xhafa kishte bërë. Kjo punë e veçantë e tij, u pasua me librin e tij “Në ndihmë të mësuesve të Matematikës” përmes të cilit ai synonte të promovonte mënyrat e reja dhe bashkëkohore të mësimdhënies së kësaj lënde, gjë për të cilën u nderua me urdhrin “Naim Frashëri” nga Ministria e Arsimit e kohës.
Nuk e teproj të them, maje kam edhe konsensusin e bashkëkohësve të tij se, kjo gjë ja rriti edhe më shumë vlerat këtij gjimnazi në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, e bëri Xhafën pjesë të një rrjeti elitar intelektual të kohës, madje duke sfiduar jetesën e tij larg elitave, larg kryeqytetit.
Ai do të vijonte më tej karrierën e tij në fushën e arsimit, si drejtues i Kabinetit Pedagogjik të Skraparit dhe më pas edhe si drejtues i Seksionit të Arsimit të rrethit. Kudo, duke lënë gjurmë të çmuara, në përpjekje për të bërë sadopak për zbatimin në praktikë të asaj që ai i besonte shumë që, “bota ndryshohet nëpërmjet dijes dhe shkollimit”.
Sa herë më jepej rasti të bisedoja më të, me habi më thoshte “si mundet që harxhojnë kaq shumë kohë në kafe dhe nuk lexojnë këta njerëz??.” Ai insistonte me çdo kusht të shtynte këdo që njihte dhe takonte, drejt leximit, drejt librit, drejt mësimit të një gjuhe të huaj. Të shoqëroheshe me Xhafën, ndiheshe keq nëse nuk ishe duke lexuar një libër apo diçka tjetër, kjo sepse librat ishin tema e parë e bisedës me të.
Po për të njëjtën pyetje që thashë më lart, por në një tjetër këndvështrim, atë të njeriut civil dhe veprimtarit qytetar, përgjigjet që kam marrë, ishin të tilla si: “Një xhentëlmen i këtyre anëve”, “mendje hapur” “një elegant deri në detaje”, “një njeri që i rrinte ngushtë Skrapari”.
Si shumë të tjerë, mesi i viteve ’90 do të shënonte një drejtim tjetër në karrierën e tij. Kësaj radhe në fushën e diplomacisë së mbrojtjes, si pjesë e drejtorisë së Integrimit Euroatlantik në Ministrinë e Mbrojtjes. Shërbimi në MM i dha atij mundësinë të përfundonte një sërë kursesh trajnimi në SHBA, Angli, Itali, Gjermani etj.
Ai ishte pjesë e një ekipi të mirë përzgjedhur nga lidershipi i Ministrisë për përgatitjen e gjithë dokumentacionit strategjik në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kur personalisht, ju bashkova stafit të kësaj Ministrie në 2007, nuk kishte kënaqësi më të madhe teksa dëgjoja konsideratat e larta të kolegëve të tij për Xhafën. Ai do ta mbyllte karrierën e tij në Dhomën Italiane të Tregtisë, them edhe si një dëshmi e dashurisë që ai ushqente për Italinë, dhe italishten të cilën e fliste aq bukur dhe i shkonte aq mirë.
Si një person që mbarova studimet në fund të viteve ‘80, teksa përmes vëllait të tij, u njoha me Xhafën, ajo që më impresionoi më së pari ishte hobi i tij për gjuhët e huaja, dhe këmbëngulja e tij për t’ia injektuar këtë gjë vajzave të tij, në veçanti Milenës. Sikurse thashë më sipër, libri, kultura dhe gjuhët e huaja ishin temat kryesore të bisedës më këtë njeri. Ai ishte një familjar model, që shfaqte qytetari dhe ekselencë në çdo ambient që ndodhej. Ajo banesë e vogël tek kullat, ishte tepër e ngushtë për të akomoduar pasurinë e tij të vetme: librat dhe fjalorët pa fund.
Ju, Bejaze, kini qenë me fat që keni pasur bashkëshort një njeri aq të pashëm sa ai, i ditur dhe me kulturë, një qytetar që përbënte model për shumë e shumë të tjerë. Ju ishit një çift vërtetë i rrallë. Ai ishte aq krenar për ju, për vajzat Milena dhe Gloria, po aq sa edhe këto të dyja shihnin tek ai atin dhe idhullin e tyre të bërë bashkë.
Me fat kanë qenë edhe vëllezërit dhe motrat e Xhafës, teksa, ndryshe nga shumë të tjerë, merrnin nga ai këshillat e duhura për rrugën e tyre të jetës. Mentor më të mirë zor se do të gjenit. Ai, sikurse ua kam thënë doktor, nuk ishte thjesht vëllai juaj i madh, ai ishte dhe mbetet “institucion” për derën tuaj të shumë respektuar.
E dashur Bejaze, Gloria, motra dhe vëllezër të Xhafës,
Xhafa, nuk është fizikisht mes nesh. Ai u nda shumë herët nga kjo botë. Ju si më të afërmit e tij, i kini dhënë me vete gjithë dashurinë tuaj për të, ndërsa ai u ka lënë pas kujtime të bukura dhe të jashtëzakonshme. Kujtime pa fund edhe për ata me të cilët punoi dhe u dha mësim, apo për ne që e njohëm nga afër.
Ju lutem, ta mbani këtë titull që po ju dorëzohet sot, si shenjë e një respekti dhe vlerësimi të lartë qytetar që shoqëria, Skrapari dhe Skraparllinjtë ushqejnë për Xhafer Ibron. Kjo certifikatë dhe ky pllakat janë materializimi i një kujtimi të veçantë për Xhafën tonë të dashur.
Asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur.
Ju faleminderit të gjithëve.