Të dashur bashkëqytetarë,
Edhe pak orë na ndajnë nga fundi i vitit 2020, një vit krejt i pazakontë për gjithë shqiptarët, por jo vetëm. Të gjithë së bashku kemi përjetuar momente të jashtëzakonshme këtë vit, teksa u përballëm me një situatë të paprecedentë të shkaktuar nga COVID-19.
Ndaj, më së pari, dëshiroj të shpreh solidaritetin tim për të gjitha ato familje të prekura nga ky virus i rrezikshëm, si dhe ato familje që fatkeqësisht kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.
Bashkia Skrapar, me mbështetjen e fuqishme të Qeverisë, por edhe të bizneseve, bëri të gjitha përpjekjet për t’iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Faleminderit të gjithëve për kontributin dhe solidaritetin e ofruar në përballimin e kësaj situate.
Teksa një viti i ri po troket në dyert tona, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi t’ju uroj të gjithë qytetarëve të Skraparit, kudo që ndodhen deri në skajin më të largët, një vit të ri të gëzuar dhe plot shëndet. Uroj paqe, lumturi dhe begati në çdo vatër familjare.
Vetëm duke qenë së bashku, do të mund t’ia arrijmë të përballojmë çdo sfidë të së ardhmes, për të mirën e familjeve tona.
Nga mot gëzuar!