Enver Caka
Anëtar Këshilli Bashkiak
Enver Hysen Caka, lindur në Osojë më 8 tetor 1940 dhe banues në Çorovodë, është pensionist, krijues dhe autor me një veprimtari të gjatë profesionale dhe kulturore.
Për shkak të problemeve shëndetësore ka përfunduar arsimin e mesëm dhe gjatë jetës së tij profesionale ka punuar në disa sektorë dhe institucione. Fillimisht ka punuar në fshat, ndërsa në vitin 1966 filloi punë në Librarinë e qytetit të Çorovodës. Më pas ka ushtruar detyra të ndryshme në sektorin e karburantit, PTT-së, Komitetit Ekzekutiv të rrethit, si përgjegjës i Qendrës Ekonomike të Shëndetësisë, shef plani në Qendrën Ekonomike të Arsimit dhe arkëtar në farmaci, duke dalë më vonë në pension si invalid.
Paralelisht me veprimtarinë e tij profesionale, që nga viti 1964 ka bashkëpunuar me pothuajse të gjitha organet e shtypit dhe me Radiotelevizionin Shqiptar. Si krijues dhe autor, ka shkruar dhe botuar rreth 70 libra të gjinive të ndryshme, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore dhe letrare.
Në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor është zgjedhur Anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Skrapar.