Konsultimi Publik Dhjetor 2024
MBI ZHVILLIMIN E DËGJESËS PUBLIKE ME OBJEKT: “HARTIMIN E BUXHETIT AFATMESËM 2025-2027 TË BASHKISË SKRAPAR DHE INSTITUCIONEVE NË VARËSI TË SAJ”
Përmbyllet procesi i konsultimit publik për Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2025–2027 dhe Buxhetin Vjetor 2025
Në zbatim të legjislacionit në fuqi për njoftimin dhe konsultimin publik, Bashkia Skrapar zhvilloi procesin e konsultimit publik për Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2025–2027 dhe Buxhetin Vjetor 2025, me qëllim përfshirjen e qytetarëve dhe grupeve të interesit në hartimin e dokumenteve buxhetore.
Takimet publike u organizuan në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Skrapar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të administratës vendore, Këshillit Bashkiak, administratorëve të njësive administrative, kryetarëve të fshatrave, përfaqësuesve të biznesit, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Çështjet kryesore të diskutuara sipas njësive administrative
Njësia Administrative Gjerbës dhe Njësia Administrative Zhepë Data: 11.11.2024, ora 09:30
Gjatë konsultimit, banorët diskutuan:
- mirëmbajtjen dhe pastrimin periodik të rrugëve dhe kanaleve kulluese;
- rehabilitimin e kanalit të ujitjes;
- betonizimin e përroit në qendër të fshatit për të lehtësuar lëvizjen;
- përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në Banjë dhe Straficë, si dhe vendosjen e matësve të ujit.
- rikonstruksionin e kapakëve të pusetave në Çorrotë, Kovaçaj dhe Grevë;
- riparimin e rrjetit të ujësjellësit në Dobrenj;
- zgjidhjen e problematikës së ujërave të zeza;
- mirëmbajtjen periodike të rrugës për Ujanik.
Njësia Administrative Leshnjë – Data: 11.11.2024, ora 12:30
Banorët ngritën si prioritare:
- rehabilitimin e segmentit rrugor Leshnjë–Vlushë;
- zëvendësimin e tubacioneve të amortizuara të ujësjellësit;
- sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për familjet pa akses;
- restaurimin e pusetës së Krastës;
- përmirësimin e furnizimit me ujë në Vlushë;
- problematikën e pagesës së taksave nga familjet e larguara.
Njësia Administrative Potom – Data: 11.11.2024, ora 14:00
Gjatë takimit u diskutuan:
- mirëmbajtja e rrugëve të përdorura nga kompanitë që shfrytëzojnë burimet natyrore;
- betonizimi i aksit Backë–Potom;
- sistemimi dhe rrethimi i varrezave;
- zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik;
- mirëmbajtja e rrugës së Gjergjovës.
Njësia Administrative Çepan – Data13.11.2024, ora 10:00
Kërkesat kryesore të banorëve ishin:
- mirëmbajtja dhe rehabilitimi i akseve rrugore kryesore;
- përmirësimi i rrugëve të brendshme;
- zgjidhja e problematikave të ujësjellësit në Prishtë;
- mirëmbajtja e rrugëve në Muzhakë;
- rritja e shpërblimit për kryepleqtë.
Njësia Administrative Vendreshë – Data: 12.11.2024, ora 09:30
Diskutimet u përqendruan në:
- mirëmbajtjen e rrugëve ndërmjet lagjeve;
- sistemimin e varrezave;
- përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm;
- rehabilitimin e rrjetit elektrik;
- përmirësimin e infrastrukturës së Qendrës Shëndetësore.
Njësia Administrative Bogovë – Data: 12.11.2024, ora 11:30
Banorët paraqitën kërkesa për:
- rehabilitimin e rrugëve lokale;
- mirëmbajtjen e rrugëve të brendshme;
- përmirësimin e sistemit të ujësjellësit;
- zgjerimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik;
- restaurimin e segmenteve rrugore të dëmtuara.
Njësia Administrative Qendër – Çorovodë Data: 14.11.2024,
ora 10:00, në sallën e kinemasë së qytetit Çorovodë “Tefti Lapani”.
Gjatë konsultimit u diskutuan:
- mirëmbajtja e rrugëve rurale;
- përditësimi i regjistrave të debitorëve;
- problematikat që lidhen me regjistrimin e tokës dhe pagesën e taksave vendore;
- zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik;
- rritja e sigurisë në institucionet arsimore.
Përfundime
Procesi i konsultimit publik u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe transparence, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin prioritetet dhe nevojat e komuniteteve të tyre.
Të gjitha sugjerimet, komentet dhe propozimet e paraqitura gjatë takimeve janë evidentuar nga administrata e Bashkisë Skrapar dhe do të merren në shqyrtim gjatë hartimit përfundimtar të Programit Buxhetor Afatmesëm 2025–2027 dhe Buxhetit Vjetor 2025, në përputhje me prioritetet strategjike të zhvillimit, mundësitë financiare dhe kuadrin ligjor në fuqi.
Bashkia Skrapar falënderon të gjithë qytetarët dhe grupet e interesit për pjesëmarrjen aktive dhe kontributin e dhënë në këtë proces të rëndësishëm vendimmarrës.
Dokumentet: