Zëvendës Kreu i Misionit në Ambasadën Zviceriane në Shqipëri z.Philipp Keller dhe Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu, në vijim të takimeve për implementimin e një projekti ambicioz për menaxhimin e mbetjeve, zhvilluan të hënën 5 Nëntor 2018, një takim pune në Njësinë Administrative Gjerbës, Skrapar. I pranishëm në takim edhe Menaxheri i Përgjithshëm i Programit për Financimin në Infrastrukturë pranë SECO z.Valentin Pfaffli si dhe drejtuesja e Flag (Fondacioni për Autonomi Vendore dhe Qeverisje) znj. Alba Dakoli Wilson, administratori vendor si dhe Menaxhere e Projektit për Qarkun, znj.Mirela Buhuri. Takimi u zhvillua në kuadër të një sërë takimesh që synojnë asistencë për Bashkinë tonë si bashkëfinancuese dhe pjesë e programit me qëllim një Menaxhim më të mirë të Mbetjeve. Njësia Administrative Gjerbës, Skrapar do të synoj të jetë pilotimi i parë në terren i projektit dhe komuniteti përgjatë segmentit rrugor Gjerbës – Skrapar do të jetë përfitues i drejtëpërdrejtë nga ky hap konkret. Projekti për Bashkinë tonë po ndiqet nga një ekip teknik në përbërje të së cilit janë Rudina Llango (nënkryetare e Bashkisë Skrapar), Bledar Met’hoxha dhe Sonila Hysenbelliu dhe Ernest Ymeri. Një vit më parë Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike SECO dakortësoi një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe 4 Bashkive të Qarkut Berat ku do të investohen në total 2.2 milion franga zviceriane për Menaxhimin e Mbetjeve. Një pjesë e kontributit do të garantohet nga vetë Bashkitë pjesëmarrëse në këtë nismë.