Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij, z.Ilir Meta ishte sot në Bashkinë Skrapar ku nderoi dy personalitete të rëndësishme të Skraparit të vlerave. Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu mikpriti Presidentin e Republikës ndërsa së bashku morën pjesë në një aktivitet mes qindra të pranishmëve në nder të kontributit të Mustafa Kapinovës dhe Baba Meleq Staraveckës. Fillimisht Kryetari i Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu përshëndeti takimin dhe theksoi ndër të tjera rëndësinë e ruajtjes dhe trashëgimisë ndër breza të atyre që dhanë çdo përpjekje përmes penës dhe armës për shqiptarizmën e lirë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij zoti Ilir Meta përcolli mesazhet e rastit në aktivitetin e mbajtur ku i dha Baba Meleq Staraveckës ( pas vdekjes) Titullin “Naim Frashëri” në vlerësim të veprimtarisë patriotike gjatë luftës kundër pushtuesve të vendit sakrificave për mbrojtjen e traditave të vyera të besimit bektashian si dhe për përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe. Po ashtu, Presidenti i Republikës i dha Mustafa Kajo Bakiasit (Kapinovës) ( pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me mirënjohjen për trimërinë dhe heroizmit të treguar gjatë luftës për pavarësi dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare si dhe për kontributin e çmuar për mbrojtjen e jetës, familjes dhe pronës deri në Çlirimin e Vendit. Presidenti Meta, gjatë fjalës së tij theksoi gjithashtu edhe kontributin e shumë emrave të tjerë që krenarisht Skrapari ka dhënë në çështjen kombëtare për liri, çlirim dhe pavarësi. Në aktivitet krahës së pranishmëve morën pjesë edhe të afërm e familjarë të Mustafa Kapinovës, përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve të Skraparit, përfaqësues lokal etj. Aktiviteti u shoqërua edhe me elementë artistiko-kulturor.