Të dashur nxënës dhe prindër,
Të nderuar kolegë mësues,
Është kënaqësi e vecantë për mua të jem sot këtu, për t’ju uruar një vit të mbarë
shkollor. Uroj të keni kaluar pushime relaksuese dhe të jeni tashmë gati për sfidën
që ju pret këtë vit. Kam zgjedhur të vij në këtë shkollë, jo thjesht për shkak të
detyrës që mbaj, por të jem i sinqertë edhe për nostalgji. Kam pasur fatin të punoj
për disa vite në këtë shkollë, të cilat janë të paharruara në gjithë vitet e mia të
punës. Ish nxënësit e mi të atyre viteve, janë sot të suksesshëm në profesionet e tyre
dhe janë në të njëjtën kohë ndër miqtë e mi më të mirë. Kjo është diçka që i jep
kënaqësi çdo mësuesi. Ndaj, edhe unë uroj që kjo gjë të ndodhi me ju mësues dhe
nëxënës të kësaj shkolle.
Gjimnazi Ramiz Aranitasi është dhe duhet të jetë një institucion elitar i arsimit në
Bashkinë tonë. Që nga dita e parë çeljes së tij, ai ka edukuar breza të tërë të
suksesshëm në të gjitha disiplinat dhe profilet. Individë të cilët kanë bërë emër në
profesionet e tyre, jo vetëm në Skrapar, por edhe në shkallë vendi, madje edhe
jashtë vendit, kanë mësuar në këtë shkollë. E tillë, elitare dhe në pararojë, duhet të
vazhdojë të jetë kjo qendër arsimore për Skraparin. Përfitoj nga rasti të shpreh
respektin dhe mirënjohjen time për gjithë ata mësues që ndër vitë kanë punuar
me pasion, përkushtim dhe profesionlizëm në këtë shkollë.
Numri i të regjistruarve në konviktin e kësaj shkolle këtë vit dëshmon se ky
gjimnaz nuk i përket më vetëm qytetit të Çorovodës, por të gjithë Skraparit. Ndaj
nga ky oborr kam kënaqësinë tju uroj gjithë nxënesve, prindërve të tyre dhe
mësuesve, një vit sa më të sukseshëm mësimor.
Mësimdhënia është një profesion, i cili gjithmonë sjell shpresë dhe mundësi. Ju si
mësues prisni shumë nga nxënësit tuaj, por edhe këta të fundit presin kujdes,
përkushtim dhe profesionalizëm të lartë nga ju. Prindërit e tyre, që sakrifikojnë aq
shumë, po ashtu kanë pritshmëri të larta ndaj jush. Ndaj asnjëra palë kurrë nuk
duhet të lodhet së bëri punën e vet në lartësinë që e dikton dinamika e zhvillimit të
sotëm shoqëror. Mësuesit, nxënësit dhe prindërit duhet të jënë një trinom i pandarë,
pasi të gjithë punojnë për një qëllim të vetëm. Një gjë nuk duhet harruar asnjëherë.
Për ju nxënës, arsimi është pasaporta drejt së ardhmes. Ndaj sa më shumë të punoni
sot aq më e mirë dhe e sigurtë do të jetë e ardhmja juaj nesër, aq më të përgatitur do
të jeni për sfidat e panumërta që ju presin. Jo më kot Aristoteli thoshte se “rrënjët e
arsimimit janë të hidhura (dhe më të ai nënkuptonte punën e madhe) por frutet e saj
janë të ëmbla.
Bashkia e Skraparit, si pushtet vendor do të bëjë çdo gjë të mundur për t’ju
mbështetur në këtë proçes kaq të rëndësishëm. Shumë shpejt, Bashkia do të
realizojë një investim serioz sa i takon rehabilitimit të ambienteve të jashtme të
shkollës tuaj, për ta sjellë atë në parametrat dhe standardet më të mira që një
shkollë e tillë dhe ju, mësues dhe nxënës, meritoni. Si kryetar bashkie, për shkak
edhe të profesionit tim, do të jem gjithmonë e më pranë mësuesve dhe nxënësve.
Do ta përfundoja këtë fjalë përshëndetëse, duke cituar një moshataren tuaj, 16
vjeçe, nga Pakistani, e cila duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve
të Bashkuara tha: “Një nxënës, një mësues, një libër dhe një penë, mund të
ndryshojnë botën”. Një thënie shumë kuptimplotë, që vetëm në një rresht
përmbledh shumë. Ju jeni e ardhmja e kësaj bote, ju do ta ndryshoni atë. Ju dhe
bashkëmoshatarët tuaj do ta bëni Shqipërinë më të mirë, më të begatë.
Shijojini vitet e shkollës së mesme, pasi janë të paharruara në kujtesën e secilit prej
jush. Mësoni shumë, por edhe argëtohuni, merruni me sport, respektojini mësuesit
tuaj, por po ashtu respektoni, ndihmoni dhe mbështesni njëri-tjetrin, zhvilloni
shoqëri të sinqertë. Është gjëja më e mirë që mund të bëni. Bëhuni qytetarë të denjë
të këtij vendi.
Edhe njëhërë, ju uroj një vit shkollor plot suksese!
Ju faleminderit!