Të nderuar Zonja dhe Zoti Pipero,

Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Blendi Klosi, Z. Spartak Braho, Z. Fadil Nasufi,

E nderuar Prefekte e Qarkut Berat, Znj. Vabona Zylyftari,

I nderuar Kryetar i Këshillit të Qarkut Berat, Z. Donald Molishti,

E nderuar Kryetare e Bashkisë Ura Vajgurore, Znj. Juliana Memaj,

I nderuar Kryetar i Bashkisë Poliçan, Z. Adriatik Zotka

Të nderuar Anëtarë të Këshillit të Bashkisë,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

 

Teksa qytetarët në të gjithë vendin u gjendën përballë një situate të vështirë dhe komplekse, për shkak të përhapjes së COVID 19, teksa Qeveria e Kryeministrit Rama, spitalet dhe institucionet shëndetësore ishin dhe janë  të gjithë në këmbë dhe në gatishmëri, për t’i bërë ballë këtij armiku të padukshëm, por të kthyer në një kërcënim tepër serioz për jetët njerëzore në gjithë globin, janë bluzat e bardha, mjekët, infermierët dhe gjithë personeli tjetër mjekësor, të cilët të rreshtuar në frontin e parë të kësaj lufte, me punën e tyre, sakrificën, përkushtimin, dashurinë për njerëzit, u shndërruan në heronjtë e vërtetë të përballimit të kësaj situate të pazakontë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të kontributit të tyre sa profesional dhe human, të punës së tyre deri në kufijtë e lodhjes së tejskajshme,  për t’ju shërbyer të prekurve nga ky virus, për të ndihmuar ata që vuajnë, për të shpëtuar jetë njerëzore. Në asnjë moment nuk u dorëzuan, por me shërbimin e  tyre, u bënë inkurajimi më i madh për gjithë shoqërinë.

Ndër ta, është edhe Prof. Dr. Pëllumb Pipero, i cili me punën e tij, në ndihmë të pacientëve të prekur, me artikulimet e tij publike, me këshillat e tij të çmuara dhe shumë profesionale, u bë shumë shpejt njeriu që përçonte qetësi dhe siguri tek të gjithë qytetarët, në mbarë vendin.

Dhe ndërsa çdo ditë informohemi se si progreson pandemia, numri i të infektuarve dhe atyre të shëruarve, qytetarët, në jo pak raste, prisnin dhe presin mbrëmjen përpara televizionit për të dëgjuar se çfarë do të thotë Dr. Pipero, apo kolegë të tij të nderuar. Dinjitoz në çdo dalje publike.

Përgjatë atyre ditëve të vështira, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë, kam marrë shumë telefonata dhe mesazhe, nga qytetarë këtu në Skrapar, nga Skraparlinj që jetojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe gjetkë, por edhe qytetarë të tjerë, të cilët kishin dijeni për origjinën e doktor Piperos, të profesioneve nga më të ndryshmet, (dhe kanë qenë jo pak) të cilët me dashamirësi më kërkonin t’i paraqisja Këshillit të Bashkisë propozimin për të nderuar Dr. Piperon, për gjithçka ju doktor, po bënit ditë pas dite në mënyrë aq intensive, me aq përkushtim dhe dashuri, gjithë ditën në spital dhe në mbrëmje deri vonë në studio e TV, në komunikimin me publikun.

Të dyja pjesë e së tërës, pjesë e një kontributi të jashtëzakonshëm që ju dhe kolegët tuaj po jepni në përballimin e kësaj pandemie të rrezikshme. Shoqëria ju është shumë në borxh dhe u është mirënjohëse ju dhe kolegëve tuaj. Puna dhe kontributi juaj do të mbahen mend gjatë.

Jam shumë i lumtur, të jem unë ai që materializova një dëshirë kaq kuptimplote të qytetarëve për t’ju nderuar ju me titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”. Po kaq i jam mirënjohës Kryeministrit Rama, i cili e mbështeti fort këtë zë të qytetarëve, si dhe Këshillit të Bashkisë, anëtarët e të cilit, e votuan me unanimitet këtë propozim.

Është ky një akt qytetarie, për gjithë sa përmenda më sipër, për të nderuar jo thjesht një mjek për nga profesioni, por edhe një personalitet publik si ju, doktor Pipero, për gjithçka ju keni bërë për gjatë gjithë karrierës tuaj, në ndihmë të shoqërisë, në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Keni qenë ju, që çdo ditë të karrierës tuaj, me punën tuaj fisnike, kudo ku kini shërbyer, kini bërë krenar familjen tuaj, dhe gjithë derën e mirë dhe me emër të Piperove, i kini bërë nder qytetarëve të Skraparit dhe më gjerë. Akti i sotëm i Këshillit të Bashkisë është një vlerësim i lartë qytetar për ju.

Skrapari, është me fat të ketë nxjerrë, mjekë si ju, dhe falë zotit jeni të shumtë në numër, që kudo ku kini shërbyer, me profesionalizmin që keni treguar, keni lartësuar jo vetëm emrin tuaj, por i kini dhënë vlera edhe vendit tuaj të origjinës.

Si qytetarë të Skraparit, më besoni seç na përshkon një ndjesi e veçantë, kur për njerëz si ju, doktor, themi me plotë gojën “epo.. është nga Skrapari, ai”, dhe duke thënë këtë, madje me shumë mburrje, duket sikur u marrim edhe një pjesë të suksesit tuaj.

I dashur Doktor Pipero,

Ndërsa po dëgjon këto fjalë të mijat, po shkon me shpejtësi nëpër mendje, gjithë historinë tënde dhe të familjes tënde. Kohën kur fëmijë u largove nga Vishanji, këtij fshati që ju dhe të tjerë si ju, i kini dhënë emër të mirë, vështirësitë e një transferimi pranë Tiranës për një familje të madhe si juaja, po kujton vitet e shkollës se mesme dhe Universitetin, të dy ciklet të mbaruara me rezultate të shkëlqyera, vitet e punës, pse jo edhe peshën që ke mbajtur në familje, si më i madhi i fëmijëve.

Çdo vështirësi e shpërblyer në sukses, vetëm nëpërmjet punës dhe përkushtimit. Po kujton, besoj, se sa i ke gëzuar të afërmit tënd në çdo hap që ke hedhur, brengën e madhe që nëna juaj, e ndarë nga jeta në moshë shumë të re, nuk ishte me ju të gëzonte sukseset e djalit të madh të shtëpisë. Jam i bindur që çdo gjë ke arritur dhe bërë, e kë bërë edhe për atë.

Dhe ja ku jemi sot këtu, qytetarë të Skraparit, deputetë, kolegë tuajët, këshilltarë të gjithë këtu së bashku, për të shprehur vlerësimin tonë për ju. Ju e meritoni plotësisht këtë titull, Doktor. Ju jeni tashmë më i riu Qytetar Nderi i Skraparit, një titull që ju bën nder ju, familjes tuaj, dhe në të njëjtën kohë gjithë Skraparit, vendit tuaj të origjinës dhe gjithë Skraparllinjve.

Jam i sigurt, se ju do të jeni edhe më i motivuar, që me mirësinë që ju karakterizon, të vazhdoni t’ju shërbeni me pasion dhe dashuri njerëzve në nevojë. Bashkëshortja dhe fëmijët tuaj, vëllezër e motra, kanë qenë dhe, padyshim, do të jenë krenarë me ju.

Dëshiroj ta mbyll këtë fjalë timen, më një perifrazim të një filozofi të lashtë, Seneca. “Shoqëria i paguan mjekët për t’i shëruar nga sëmundja që kanë, ndërsa për mirësinë që ata tregojnë, u është në borxh”.

Kjo pandemi e rrezikshme, e vërtetoi më së miri këtë të dytën. Doktor Pipero, shoqëria jonë u mbetet në borxh, ju dhe kolegëve tuaj. Me aktin e sotëm, Bashkia dhe Këshilli i Bashkisë, mbase, po shlyen një pjesë të këtij borxhi.

Ju faleminderit të gjithëve që na u bashkuat në këtë ceremoni modeste.