Kryetari i Bashkisë Z. Adriatik Mema, i jep Çertifikatë Mirënjohje aktores Ermelinda Shuka (Hidërshaj)
Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Bashkisë Skrapar, aktores Ermelinda Shuka (Hidërshaj) iu dorëzuar Çertifikata e Mirënjohjes akorduar nga Kryetari i Bashkisë, në vlerësim të lartë të arritjeve të saj profesionale dhe artistike si dhe kontributit të saj të çmuar në promovimin e vlerave më të mira të Skraparit, brenda dhe jashtë vendit.
Ermelinda Shuka, u lind më 30 maj 1976, në Çorovodë, Skrapar. Këtu, ajo mori mësimet e para dhe kreu shkollën e mesme të përgjithshme. Në vitin 1995, ajo fillon studimet ne Universitetin e Arteve, Tiranë, në degën e aktrimit dhe diplomohet në vitin 1999.
Që gjatë kohës së studimeve në Akademinë e Arteve, ajo filloi të angazhohej në Radio Televizionin Shqiptar, në programin e mëngjesit me regji të Ylli Pepos.
Në verën e vitit 1999, Ermelinda u transferua në Londër, ku edhe sot jeton me familjen e saj. Në vitin 2011, ajo mbaron studimet në degën Kontabilitet dhe Financë, në Metroloitan University, Londër.
Prezantimin e parë në Londër, ajo e bën në BBC që në vitin 2010, si pjesë e “The Archers”, radiodrama me e vjetër dhe me e dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkëpunimi i saj me BBC vazhdon më pas me radiodrama të tjera të cilat janë vlerësuar me çmime të ndryshme.
Me pas, Ermelinda u bë pjesë e filmit dhe televizionit në Mbretërinë e Bashkuar, si aktore dhe pjesë e produksioneve si “Hiena” në vitin 2014, “Darka” po në vitin 2014, dhe deri tek së fundmi në serinë televizive më të shikuar në Mbretërinë e Bashkuar, e titulluar “Bandat e Londrës”.
Në këtë film, ajo luan rolin e Mirlindës së bashku me bashkëshortin, Orli Shuka, i cili luan rolin e Luan Dushës. Tashmë ajo dhe bashkëshorti janë gati për t’u bërë pjesë në serialin e dytë të po këtij filmi.