Në sheshin qendror të qytetit të Çorovodës, në datën 18.09.2020, u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për Prof. Dr. Pëllumb Pipero. Ky titull ju dha me propozim të Kryetarit të Bashkisë Skrapar, Z. Adriatik Mema, miratuar me Vendim Nr. 24, datë 28.05.2020, të Këshillit të Bashkisë. Në këtë ceremoni përveç qytetarëve të shumtë të Skraparit, ishin të pranishëm edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë Z. Spartak Braho dhe Z. Fadil Nasufi, Prefekti i Qarkut Berat Znj. Valbona Zylyftari, Kryetari i Këshillit të Qarkut Z. Donald Molishti, Kryetarët e Bashkive Ura Vajgurore dhe Poliçan Znj. Juljana Memaj dhe Z. Adriatik Zotkaj, Nënkryetari i Këshillit të Bashkisë Z. Besnik Demko, anëtarë të Këshillit të Bashkisë, qytetarë të Skraparit si dhe mjekë e familjarë të Dr. Piperos.

  • Pëllumb Pipero, u lind në 23 Prill 1956, në Skrapar. Ai rrjedh nga një familje me emër në zonën e Tomorricës. Në vitin 1965, familja e tij shpërngulet për në qytezën e Vorës, në afërsi të Tiranës. Këtu, Z. Pipero, përfundoi arsimin tetë-vjeçar dhe më pas atë të mesëm, të cilin e kreu me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1977, ai filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, të cilin e përfundoi gjithashtu me rezultate të shkëlqyera.  Më pas, ai do të nisë një karrierë të larmishme profesionale, si mjek dhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. I specializuar në fushën e sëmundjeve infektive, ai do të mbajë, po ashtu, edhe detyra të rëndësishme në Institutin e Shëndetit Publik, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke mos ju ndarë asnjëherë punës së tij akademike si pedagog. Ai është anëtar dhe kryesues i një sërë organizatash profesionale në fushën e mjekësisë, ku do të veçonim anëtarësinë e tij në Bordin e Akreditimit dhe Certifikimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, Kryetar i Komitetit  Kombëtar të Luftës kundër Kancerit, Kryetar i Taks Forcës për Strategjinë e Edukimit në Vazhdim, Koordinator Kombëtar i Projektit të Telemjekësisë në Shqipëri,

Në fjalën e tij të rastit Kryetari i Bashkisë Skrapar Z. Mema  duke vlerësuar rolin e mjekëve si dhe rolin e spikatur të Dr. Pipero, në përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19,  theksoi: “Të gjithë jemi dëshmitar të kontributit të tyre profesional dhe human, të punës së tyre deri në kufijtë e lodhjes së tejskajshme, për t’ju shërbyer të prekurve nga ky virus, për të ndihmuar ata që vuajnë, për të shpëtuar jetë njerëzore. Në asnjë moment nuk u dorëzuan, por me shërbimin e tyre, u bënë inkurajimi më i madh për gjithë shoqërinë. Ndër ta është dhe Prof. Dr Pëllumb Pipero, i cili me punën e tij, në ndihmë të pacientëve të prekur, në artikulimet e tij publike, me këshillat e tij të çmuara dhe shumë profesionale, u bë shpejt njeriu që përçonte qetësi dhe siguri tek të gjithë qytetarët në mbarë vendin.”

Në vijim z. Mema shtoi se:  “Përgjatë atyre ditëve të vështira, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë, kam marrë shumë telefonata dhe mesazhe, nga qytetarë këtu në Skrapar, nga Skraparllinj që jetojnë ne Tiranë, Durrës, Vlorë dhe gjetkë, por edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët kishin dijeni për origjinën e Doktor Piperos, të profesioneve nga më të ndryshmet, të cilët me dashamirësi kërkonin t’i paraqisja Këshillit të Bashkisë Propozimin për të nderuar Dr. Piperon, për gjithçka ju Doktor po bënit ditë pasdite në mënyrë aq intensive, me aq përkushtim dhe dashuri, gjithë ditën në spital dhe në mbrëmje deri vonë në studio e TV, në komunikimin me publikun.”

Kryetari i Bashkisë Skrapar, shprehu mirënjohjen për Kryeministrin Rama, i cili mbështeti fort këtë zë të qytetarëve, si dhe Këshillin e Bashkisë anëtarët e të cilit e votuan me unanimitet këtë propozim.

Nënkryetari i Këshillit të Bashkisë Z. Besnik Demko, i dorëzoi Prof. Dr. Piperos Certifikatën e titullit “ Qytetar Nderi”, me motivacion “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike përgjatë gjithë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive si dhe për kontributin e çmuar profesional e publik në përballimin e situatës së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19”.  Z. Demko në fjalën e tij të rastit theksoi se: “Ky është i pari titull që ky Këshill Bashkie jep në këtë mandat të tijin.” Ai shprehu mirënjohje dhe falënderime për Dr. Piperon, për kontributin e dhënë gjatë përballimit të pandemisë së Covid-19.

 

Në këtë ceremoni, në fjalën e tij përshëndetëse Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klosi falënderoi Kryetarin e Bashkisë Skrapar për propozimin dhe Këshillin e Bashkisë, si dhe shprehu mirënjohje të panumërta për punën e palodhur të Qytetarit të Nderit Prof. Dr. Pëllumb Pipero ku theksoi : “Sa mirë që sot jemi mbledhur për të vlerësuar një punë të një mjeku, një punë të një njeriu të ndershëm që përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm, një lodhje dhe një sakrificë të madhe të një gjenerate që e quajtën gjenerata e atyre që i shërbyen luftës kundër armikut të padukshëm. Shumë Faleminderit Doktor për qetësinë e madhe që ju dhatë njerëzve, dhe shume faleminderit ju dhe kolegëve tuaj në spital që vazhdoni të luftoni edhe sot pa pyetur për jetën tuaj. Është një sakrificë e madhe, e njerëz të thjeshtë duan shumë t’ju puthin duart. Në emër të tyre dhe në emër të kolegëve tim deputetë, Shumë Faleminderit për kontributin e dhëne për të promovuar ketë ndjenjë të madhe Solidariteti”.