Në ambientet e jashtme të gjimnazit të Çorovodës u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit “, z. Xhafer Ibro (pas vdekjes). Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ish nxënës, mësues bashkëkohës të z. Ibro, mësues dhe drejtues të arsimit në Skrapar, qytetarë të Çorovodës, si dhe familjarë, të afërm të tij. Në fjalën e rastit, Kryetari i Bashkisë, z. Adriatik Mema, duke vlerësuar vendimin e Këshillit të Bashkisë, u shpreh se: “Kam zgjedhur këtë oborr shkolle, pse këtu, ai jo vetëm punoi në vitet e para të pas mbarimit të universitetit, por edhe shfaqi gjithë aftësitë dhe dhuntitë e tij në fushën e mësimdhënies në lëndën e matematikës, me të drejtë e cilësuar si mbretëresha e shkencës”.

Me tej, në fjalën e tij, z. Mema vlerësoi rolin e z. Ibro në edukimin e brezave si mësues i matematikës në gjimnazit “Ramiz Aranitasi”, në promovimin në nivel kombëtar të metodave moderne në mësimdhënien e kësaj lende, si dhe kontributin e tij në zhvillimin e arsimit në Skrapar. Duke evokuar rolin e tij në kontekstin qytetar, z. Mema u shpreh: “Teksa caktova datën për këtë ceremoni, kam kontaktuar shumë njerëz që në një mënyrë apo një tjetër e njihnin Xhafën. Me qëllimin, për të më ndriçuar më mirë dhe për t’i bërë të gjithë ata bashkautorë të kësaj fjale, ju kam bërë atyre një pyetje: “Si e keni njohur ju Xhafer Ibron?”. Ja disa nga përgjigjet që kam marrë: “I avancuar për kohën”, “mësues erudit dhe i dashur për nxënësit”, “talent dhe me kulturë qytetare”, “jam me fat që kam marrë dije dhe kulturë nga Xhafa”, “person më vlera dhe ideale të larta”, “të gjithë ata që ai ka mësuar nuk kanë për ta harruar kurrë Xhafën, mësuesin e matematikës”.

Po për të njëjtën pyetje që thashë më lart, por në një tjetër këndvështrim, atë të njeriut civil dhe veprimtarit qytetar, përgjigjet që kam marrë, ishin të tilla si: “Një xhentëlmen i këtyre anëve”, “mendje hapur” “një elegant deri në detaje”, “një njeri që i rrinte ngushtë Skrapari”.

Në fjalën e tij ai solli, gjithashtu përpara te pranishmëve, kontributin e z. Ibro, gjatë shërbimit të tij në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërsa, i dorëzohej certifikata e titullit të nderit nga znj. Edlira Shkëmbi, Kryetare e Këshillit të Bashkisë, bashkëshortja e z. Ibro falënderoi Këshillin e Bashkisë Skrapar, për titullin e duke e konsideruar atë si një vlerësim të lartë për gjithë atë brez mësuesish që me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre kanë kontribuar në edukimin e brezit të ri. Shumë emocionuese ishin edhe përshëndetjet e z. Sadik Xhaferraj, ish nxënës i profesor Ibros, i kolegëve të tij, z. Fiqiri Aliaj dhe z. Petrit Brokaj, si dhe e nxënëses të këtij gjimnazi Sibora Guri. Të gjitha ata sollën copëza kujtimesh nga puna dhe miqësia me z. Ibro. Të gjithë bashkoheshin në një pikë: vlerësimi për rolin e z. Ibro si mësues me pasion, si koleg, njeri intelektual dhe i përparuar për kohën që jetoi.