U përkujtua sot 79 vjetori i çlirimit të Skraparit. Bashkia Skrapar, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Skraparit, organizoi sot një ceremoni përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Anti Fashiste Nacional – Çlirimtare. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Bashkisë, drejtues të saj, përfaqësues të Prefekturës, veteranë, pasardhës të familjeve të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë. Të pranishmit vendosën kurora dhe buqeta me lule në nderim të veprës së pavdekshme të atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Kryetari i Bashkisë z. Adriatik Mema solli kontributin e shkëlqyer të bijve dhe bijave të Skraparit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm për çlirimin e Skraparit, por të gjithë Shqipërisë. Vepra dhe sakrificat e tyre, tha ndër të tjera z. Mema, do të nderohen përjetësisht. Skrapari është krenar për historinë dhe kontributin e çmuar në luftën për çlirimin e vendit. Në vijim, z. Mema theksoi nevojën për të shndërruar gjithë ansamblin ku sot janë vendosur varrezat e dëshmorëve dhe muzeu i rrethit në një zonë e cila duhet të jetë në lartësinë e veprës së dëshmorëve që prehen në këto varreza. Për këtë, shtoi ai, Bashkia në bashkëpunim me aktorë të tjerë, do të bëjë të mundur hartimin e një projekti i cili synon rikonceptimin e gjithë kësaj hapësire. Viti që vjen, shtoi z. Mema, shënon edhe 80 vjetorin e çlirimit të Skraparit, ndaj dhe Bashkia së bashku me organizatën e veteranëve të LANÇ, do të fillojë sa me parë përgatitjet për festimin me madhështi të këtij përvjetori.
Nderim dhe mirënjohje për jetë dëshmorëve të Skraparit.