Festimet e 7 Marsit, ditës së mësuesit ishin shumë ndryshe këtë vit. Ato nisën me një koncert të organizuar nga Qendra Kulturore në bashkëpunim me shkollat e qytetit Çorovodë. Një koncert shumë dinjitoz, me pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, gjatë të cilit nxënësit interpretuan pjesë të dedikuara për mësuesit e tyre, duke krijuar një atmosferë shumë festive. Festimet vazhduan më tej me një ceremoni të organizuar nga Bashkia Skrapar, në të cilën u vlerësuan një grup mësuesish të shkollave të qytetit, si dhe mësues në pension. Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë shprehu respektin dhe mirënjohjen për punën e të gjithë mësuesve në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve si dhe rolin që ata luajnë në shoqëri. Ndër të tjera, kryetari i Bashkisë u shpreh se: “Shoqëria jonë, më shumë se kurdoherë tjetër, ka nevojë për njerëz si ju, që keni fuqinë të frymëzoni fëmijët dhe të rinjtë në rrugën e tyre të jetës, dukë u bërë për ta modeli që duhet të ndjekin”. Më pas, ceremonia e ditës së sotme, vijoi më shpërndarjen e “Certifikatave të Mirënjohjes” për mësuesit e shkollave së qytetit të Çorovodës.
Nga ana e tyre, mësuesit e nderuar në këtë rast, shprehën mirënjohjen e tyre për vlerësimin që Bashkia Skrapar iu bëri punës së tyre ndër vite. Ata përjetuan një emocion të veçantë dhe përcollën mesazhet më të ndjera në këtë ceremoni, për të vazhduar të bëjnë ç’ është e mundur për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, për t’i përgatitur sa më mirë ata për të ardhmen.