Ditën e premte, në datën 18.02.2022, Ambasada Japoneze në Tiranë, nënshkroi me Bashkinë Skrapar një marrëveshje dhurimi me vlerë 82.500 euro, nëpërmjet te cilës, do të bëhet e mundur, blerja e një mjeti (Autobot), për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta dhe larjen  e rrjetit të rrugëve të brendshme të qytetit.

Kryetari i Bashkisë Skrapar, z. Adriatik Mema, i shprehu mirënjohjen e sinqertë,  Ambasadorit Japonez  Mitsuyuki Takada dhe Qeverisë Japoneze, për mbështetjen e tyre duke theksuar rëndësinë e këtij granti, për Bashkinë Skrapar dhe qytetarët e saj.

Automjeti për larjen e rrugëve të qytetit, do ti dhurohet Bashkisë Skrapar, në kuadër të projekteve sociale që Qeveria Japoneze akordon, për qeverisjen vendore në vendin tonë, për të përmirësuar mirë administrimin e mjedisit dhe sipërfaqeve të gjelbërta.

Ky është bashkëpunimi i dytë, ndërmjet Qeverisë Japoneze dhe Bashkisë Skrapar.

Në vitin 2020, Qeveria Japoneze nëpërmjet projekteve sociale i dhuroi bashkisë Skrapar një mjet për mbledhjen dhe menaxhimin e mbetjeve, si dhe 103 kosha, të cilat përmirësuan ndjeshëm, sistemin e menaxhimit të mbetjeve, në bashkinë Skrapar.

Me këtë projekt të dytë Ambasada e Japonisë dhe Bashkia Skrapar, po i fuqizojnë më tej marrëdhëniet e mirë të bashkëpunimit, të cilat do të shoqërohen në të ardhmen edhe me projekte të tjera, me interes për komunitetin.

Ambasadori i Japonisë  SH.T.Z. Mitsuyuki Takada, nga ana e tij shprehu angazhimin për  bashkëpunime të mëtejshme me Bashkinë Skrapar, në fushën e mbrojtjes se mjedisit dhe rikonfirmoi  përkushtimin e Qeverise Japoneze, për të mbështetur këtë sektor të rëndësishëm të qeverisjes vendore.