Bashkia Skrapar, në kuadër të Aksionit Kombëtar të Pastrimit 2021 – 2022, nisma “Të çlirojmë territorin nga mbetjet dhe ndotja mjedisore”, ndërmarrë nga Kryeministri Rama dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, vijon punën çdo javë për pastrimin e hapësirave publike në territorin e saj. Fokusi i këtij pastrimi kanë qenë kryesisht destinacionet turistike, siç janë Kanionet e Osumit, Ura e Kasabashit, tunelet e Pirogoshit, etj. Jo më pak vëmendje u është kushtuar hapësirave të gjelbra në qytetin e Çorovodës, si: ura e spitalit, rruga e re në hyrje të qytetit, nënstacioni i ri, rruga Arkitekt Kasëmi, në dy krahët e përroit të Mollasit, segmenti rrugor nga ura e re në fshatin Sharovë deri tek varrezat publike etj.
Edhe pse çdo ditë në këto hapësira punëtorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kryejnë punën e tyre, në disa vende situata lë shumë për të dëshiruar. Ndaj, Bashkia u bën thirrje të gjithë banorëve të saj të kujdesen dhe të trajtojnë me dinjitet natyrën që Zoti na ka falur, si dhe të mbrojmë mjedisin ku jetojmë. Të gjithë meritojnë të jetojnë në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Hidhini mbeturinat në vendin e caktuar për to, e jo nga ballkonet apo dritaret e shtëpive tuaja. Disa sjellje, në dukje të vogla, kanë ndikim të madh në jetën e të gjithëve.
Fëmijët kanë të drejtë të rriten shëndetshëm! Kujdesu për Mjedisin, mbro të ardhmen e tyre!