Si asnjëherë më parë “5 Shtatori”, që këtë vit shënon 80-Vjetorin e Çlirimit të Skraparit, u përcoll me një javë të mbushur me aktivitete festive, organizuar nga Bashkia Skrapar në bashkëpunim me sponsor të ndryshëm.
Fokusi ynë është buzëqeshja e fëmijëve. Andaj, fillimi i javës kulturore nisi me një shfaqje të trupës së Cirkut Kombëtar, pasditen e të enjtes. Me performancën e saj fantastike ajo dhuroi art, dashuri, përkujdesje dhe argëtim për të gjithë fëmijët e qytetit.
Veprimtaria kulturore e kësaj ditë pasoi me koncertin e organizuar në lagjen “5 Shtatori” të “All In Band”. Një performancë e shkëlqyer e kësaj bande, e cila u ndoq nga shumë qytetarë, të të gjithë grup moshave, bëri që të krijohej një atmosferë shumë e bukur dhe festive për të gjithë.
Pa shkëputur vëmendjen nga fëmijët, dita e dytë vijoi më një aktivitet me animatorë social, të zhvilluar në ambientet e kinemasë së qytetit. Ky aktivitet përcolli tek të gjithë fëmijët nëpërmjet lojërave dhe kërcimeve të ndryshme, shumë gëzim dhe argëtim.
Në ditën e tretë qyteti do të zgjohej sërisht me zërin e ëmbël të fëmijëve, duke organizuar kështu finalen e projektit “Promovimi i talenteve të Skraparit”. Në bashkëpunim me Albania Event Production, fëmijë të Skraparit nxorën në pah dhe dhuruan një shfaqje të mrekullueshme nëpërmjet talentit të tyre për të gjithë qytetarët e Skraparit. Gjatë këtij spektakli, fëmijët pjesëmarrës u certifikuan si konkurentë zyrtarë të MISS&MISTER CHILDREN ALBANIA, i cili pritet të zhvillohet në 11 Shtator 2022. Shumë emocione dhe lumturi përcolli ky format për të gjithë.
Por kjo ditë nuk mbaroi këtu. Mbas këtij spektakli të dhuruar nga fëmijët e Skraparit, do të vazhdonte festa në lagjen “5 Shtatori”. Nëpërmjet një koncerti FOLK, nga grupi polifonik i këngës popullore të Skraparit u dhurua një atmosferë festive për të gjithë qytetarët.
Dita pasardhëse do ti kushtohej rinisë së qytetit. Kështu, pasditen e së dielës u organizua një festë në kanionet e Osumit, magjia e së cilës ishin vetë të rinjtë e qytetit dhe bukuria e rrallë e kanioneve.
Data e madhe historike “5 Shtator” nisi me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, gjatë të cilës autoritet vendore dhe jo vetëm, përkujtuan me nderim dëshmorët e rënë për çlirimin e Skraparit. Më pas, në ambientet e muzeut historik të Skraparit u organizua në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ Skrapar, një takim përkujtimor.
E veçanta e kësaj dite ishte pjesëmarrja e Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, të cilët dhuruan performancën e tyre artistike përgjatë pedonales dhe sheshit qendror të qytetit.
Kulmin e saj kjo javë e mbushur me aktivitete e shënoi me Maratonën “Kënge Moj”, e cila vjen për herë të parë në Skrapar me një koncert të jashtëzakonshëm, i cili u ndoq nga qindra banorë të Skraparit, të cilët festuan deri në orët e vona të mbrëmjes.