Në sajë të mbështetjes financiare të Ambasadës së Japonisë në Tiranë, Bashkisë Skrapar iu dorëzua një kamion (autobot) i ri, me kapacitet 7.5 ton, me kalueshmëri të lartë, i cili nga dita e sotme do të jetë në dispozicion të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Ky mjet do të përdoret për larjen e rrugëve, si dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në qytet. Po ashtu, në rast nevoje, ai do të përdoret edhe për furnizimin me ujë në zonat rurale të Bashkisë tonë.
Në ceremoninë e dorëzimit ishte i pranishëm Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Sh. T. Z. Takada Mitsuyuki. Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Bashkisë, z. Adriatik Mema, Ambasadori z. Takada, vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit me Bashkinë Skrapar, si rezultat i të cilave është bërë e mundur rritja e kapaciteteve logjistike në administrimin e mbetjeve urbane më qytet dhe fshatrat përreth.
Nga ana e tij, z. Mema i shprehu Ambasadorit falenderimet dhe mirënjohjen e veçantë për Ambasadën e Japonisë për këtë ndihmë të çmuar dhe bashkëpunimin e shkëlqyer e vendosur prej disa vitesh me Bashkinë Skrapar. Me këtë rast, në ambientet e Bashkisë, u çel edhe një ekspozitë fotografike nga Japonia, e cila u ndoq me shumë interes nga vizitorët, veçanërisht nga nxënësit e shkollave të qytetit. Ambasadori z. Takada, bëri me këtë rast një përmbledhje të marrëdhënieve Japoni – Shqipëri, në kuadrin e 100 vjetorit të tyre. Në mbyllje të veprimtarive të kësaj dite, ai vizitoi disa nga destinacionet turistike të Skraparit. Të dy palët ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit me projekte konkrete në të ardhmen.