Festa e Rakisë dhe Panairi i Produkteve Tradicionale në Skrapar
Në kuadër të promovimit të trashëgimisë kulturore dhe gastronomike të zonës, më 11 Tetor 2025, në Bashkinë Skrapar, me mbështetjen e IADSA – Konvertimi i Borxhit Italo-Shqiptar dhe Fondacionit Besa, u organizua “Festa e Rakisë dhe Panairi i Produkteve Tradicionale”.

Ky aktivitet solli së bashku prodhues vendas, sipërmarrës të vegjël, gra artizane dhe fermerë, të cilët prezantuan me krenari produktet e tyre autentike: raki rrushi, verëra karakteristike të zonës, mjaltë, vaj ulliri, reçelëra shtëpie, produkte blegtorale dhe punime artizanale.



Festa e Rakisë ishte një moment i veçantë për të festuar traditën e hershme të përpunimit të rakisë në Skrapar, një traditë e njohur gjerësisht për cilësinë dhe mjeshtërinë e trashëguar brez pas brezi. Atmosfera u gjallërua nga degustime, konkurse simbolike për rakitë më të mira, si edhe shfaqje artistike me muzikë dhe valle popullore që pasqyruan shpirtin dhe mikpritjen e zonës.



Ky panair jo vetëm që promovon vlerat kulturore dhe gastronomike të Skraparit, por kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal, nxitjen e turizmit rural dhe kulturor, si dhe në forcimin e identitetit të zonës si një destinacion që ruan me krenari traditat e veta, duke u përshtatur njëkohësisht me zhvillimin modern.

