Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Shuarja dhe Pagesa e Detyrimeve Tatimore dhe Doganore – Ligjit Nr. 86/2025

Njoftim zyrtar

Bashkia Skrapar

Informacion mbi fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore vendore

Në zbatim të Ligjit Nr. 86/2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, Bashkia Skrapar informon qytetarët dhe subjektet tatimpaguese mbi kushtet dhe afatet e përfitimit.

Fshirja / Shuarja e detyrimeve

Fshihen/shuhen detyrimet e papaguara, të përcaktuara sipas Ligjit Nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014.

Detyrimet për periudhën 2015–2019

Për taksat dhe tarifat vendore të papaguara që u përkasin periudhave tatimore nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, pagesat e detyrimeve do të shuhen me kusht si më poshtë:

Shuhet 50% e taksës/tarifës vendore

Nëse pjesa e mbetur prej 50% paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.06.2026.

Shuhet 25% e taksës/tarifës vendore

Nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet brenda datës 31.12.2026.

Në të dyja rastet, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Rastet e pagesës së principalit

Në rastin kur është paguar principali (detyrimi vjetor) dhe tatimpaguesi ka detyrime të papaguara vetëm gjoba dhe kamatëvonesa në llogarinë e tij, falen (fshihen) gjobat dhe kamatëvonesat.

Detyrimet për periudhën 2020–2024

Shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet që u përkasin periudhave tatimore nga data 1 janar 2020 deri në datën 31 dhjetor 2024, me kusht që tatimi/taksa/tarifa për periudhën përkatëse të paguhet brenda datës 31.12.2026.

Kushtet e përfitimit

Tatimpaguesit/subjektet për të cilët shuarja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë shuarje të detyrimit nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj.

E drejta e ankimit

Tatimpaguesit/subjektet, të cilët/të cilat, sipas një vendimi të administratës përkatëse tatimore, nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Administrative, sipas legjislacionit në fuqi.

Afati i zbatimit

Ky ligj i shtrin efektet nga data 1 janar 2026 deri në datën 31 dhjetor 2026.

Informacion i mëtejshëm

Qytetarët e interesuar mund të paraqiten pranë Drejtorisë së Tatim Taksave në Bashkinë Skrapar ose pranë zyrave të Tatim Taksave në Njësitë Administrative përkatëse, për të marrë informacion dhe sqarime të mëtejshme.