Bogova, një ndër ndalesat turistike natyrore të Skraparit, n’a bashkoi sërisht. Në datat e Festave lokale, aktiviteti “Skrapari në Gotë” bashkoi dje, qindra e qindra vendas e vizitorë, në një mbrëmje të veçantë në kuadër të përfshirjes së Bogovës në Programin “100 fshatrat turistikë”. Pija tradicionale, Rakia e Skraparit, gatimet tipike, kënga dhe urimet ishin ato që e bënë këtë mbrëmje të veçantë. E sikundër çdo urim bashkon njerëzit, dje Bogova bashkoi plot miq e të ftuar, artizanë dhe prodhues lokalë. Ishte nder për ne prania në këtë takim e figurave të rëndësishme që kanë dhënë e japin kontribut për Skraparin në mbështetjen e programeve zhvillimore të tij dhe duke ndihmuar me çdo përpjekje bashkinë tonë. Deputetet Spartak Braho, Nasip Naço, Fidel Ylli, Prefekti i Qarkut Berat Harilla Dafa si dhe Kryetari i Komunës Vaccarizzo Albanese Antonio Pomillo nderuan me praninë e tyre në festën që mblodhi Skraparin e traditave, zakoneve dhe vlerave brenda një gote plot mirësi duke e bërë Bogovën edhe më të bukur me festa të tilla që do të jenë pjesë e axhendave vjetore. Festa e gjatë kaloi nën muzikën popullore tradicionale të Skraparit dhe valleve tona duke e bërë festën edhe më të bukur…
Sepse Skrapari ngado… është një Festë e Pambarimtë!