Edicioni i dytë i festës lokale “Skrapar n’gotë” u zhvillua këtë të shtunë 26 tetor 2019 në Çorovodë. Mes instalacioneve të shumta dhe demostrimit të pijeve dhe produkteve lokale, Çorovoda mikpriti mes qindra të pranishmëve, Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit z.Blendi Klosi, Prefekten e Qarkut Berat, znj. Valbona Zylyftari, Deputetët e nderuar të Parlamentit Shqiptare z. Adnor Shameti dhe Spartak Braho etj. E konceptuar si një dinamike lëvizëse, mes viteve dhe kohëve rreth 40 fermerë të prodhimeve në gotë , biznese lokale të prodhimit të pijeve raklamuan mes instalacioneve produktet e zonës. Kryetari i Bashkisë Skrapar tha ndër të tjera se kjo festë u përket të gjithë banorëve të Skraparit të cilët vjelin produktet e mundit të tyre të krenarisë dhe traditës. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi theksoi se festat lokale, po bëhen një traditë që përsëritet falë suksesit dhe kërkesës së vetë komunitetit duke nxitur turizmin dhe promovuar ekonominë lokale.
Festa është gjithashtu një mundësi e artë për të promovuar Skraparin turistik me destinacionet si kanionet e Osumit, malin e Tomorit, por edhe shumë atraksione të tjera natyrore për të cilat ministri Klosi u bën thirrje veçanërisht turistëve vendas që ta vizitojnë zonën, të provojnë shijen e rakisë dhe mikpritjen e banorëve.
Ministri Klosi tha se do të vazhdojë promovimi i të gjitha vlerave dhe traditave që ka kjo zonë ndërsa siguroi mbështetjen për vijimin e festave lokale në të gjithë vendin, gjatë gjithë vitit.
“Ku tjetër më bukur se në Skrapar mund të realizohej festa e rakisë, apo Skrapari në Gotë. Është një festë tradicionale tashmë e organizon prej disa vitesh por ky vit me fatin e mirë që ka shumë diell dhe i gjithë Skrapari sot është në shesh për të bërë shumë më tepër promocion për një nga produktet më me emër që Skrapari ka në të gjithë Shqipërinë dhe për ta shndërruar këtë produkt kaq të bukur edhe turistik në një produkt financiar dhe ekonomik për banorët e kësaj zone”, tha ministri Klosi.
Klosi tha se, “është nga ato ditë të shënuara kur të gjithë mblidhen të gjithë së bashku dhe bëjnë promovim për një fushatë të mirë të prodhimit të rakisë së re, ku mblidhen nga e gjithë zona për të dëshmuar se tradita vazhdon dhe se kjo jetë ka shumë më tepër nevojë për gëzim, për hare dhe edhe për këngë, edhe për dolli, por po ashtu një mundësi e artë për të promovuar Skraparin turistik, Skraparin që ka një nga destinacionet më të bukura që janë kanionet e Osumit por ka edhe malin e Tomorit, ka kaq shumë burime natyrore që mund të kthehen fare mirë në burim turistik për turistët e vendit dhe të huaj”.
“Do të doja shumë që të vazhdojmë festat lokale gjatë gjithë vitit për të shtuar ekonominë dhe turizmin në këto zona. Ne do të vazhdojmë të promovojmë të gjitha vlerat dhe traditat që ka kjo zonë dhe që janë të gjitha unike dhe të mrekullueshme”, përfundoi Klosi.