Në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Bashkisë Skrapar, u zhvillua në datën 20.06.2021, ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit” (pas vdekjes) për z. Bashkim Caka.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë familjarë të z. Caka, anëtarë të Këshillit të Bashkisë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, gjyqtarë, qytetarë të Skraparit etj. Ceremoninë e hapi Kryetari i Bashkisë, i cili në fjalën e tij vlerësoi figurën e z. Bashkim Caka, duke theksuar se “ai ishte një gjyqtar me kurajë dhe integritet të lartë, model jo vetëm për komunitetin e atyre që janë pjesë e sistemit të drejtësisë, por edhe me tej, i cili asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk u influencua nga asgjë tjetër, përveçse nga ligji dhe vetëm ligji. Gjithçka arriti në jetë ishte vetëm me punë, pasion, përkushtim dhe profesionalizëm, ndaj edhe asnjëherë nuk i mungoi respekti i kolegëve dhe publikut. Ishin cilësitë që ai mishëronte të cilat bënë që Bashkimi të qëndronte gjithmonë në lartësinë e misionit të gjyqtarit, pavarësisht vështirësive që sistemi i drejtësisë ka shfaqur në këto vite demokraci. Drejtësia në Shqipëri ka nevojë për shembuj dhe modele si ai i Bashkim Cakës.”

Titulli “Qytetar Nderi i Skraparit“ iu dorëzua familjarëve nga zonja Edlira Shkëmbi, kryetare e Këshillit të Bashkisë Skrapar. Ceremoninë e përshëndetën edhe të ftuar si z.Fatmir Xhafaj, z.Sokol Sadushi, z. Nasip Naço, z.Spartak Braho, z. Sadik Xhaferraj. Po ashtu, përmes mesazheve apo letrave të dërguara, ceremonia u përshëndet edhe nga z. Francesk Ganaj, z. Maksim Haxhija, z.Muharrem Kushe, znj. Vasilika Hysi, z. Fehmi Abdiu.