Ditën e sotme në mjediset e Ambasadës së Japonisë në Tiranë u zhvillua një ceremoni modeste gjatë së cilës u dhuruan 139 tituj librash, ne gjuhen angleze, për bibliotekën e qytetit të Çorovodës, në kuadër të projektit “Read Japan”.

Ky fond librash, vjen si një dhuratë e çmuar, për lexuesit, duke iu dhënë atyre mundësinë të njihen nga afër me kulturën, artin, letërsinë  dhe qytetërimin japonez, si pjesë  e rëndësishme e qytërimit botëror. Ambasadori i Japonisë, Sh. T. Z. Takada Mitsuyuki, në fjalën e tij pasi vlerësoi bashkëpunimin dhe partneritetin e vendosur me Bashkinë Skrapar, shprehu gatishmërinë për ta vazhduar këtë bashkëpunim me projekte konkrete në të ardhmen.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Skrapar z. Adriatik Mema, shprehu mirënjohjen për këtë donacion i cili mbart një simbolikë të veçantë, si dhe asistencën e dhënë nga qeveria Japoneze, duke ndihmuar dukshëm në rritjen e kapaciteteve logjistike sa i takon administrimit të mbetjeve urbane dhe pastërtisë në qytet. Të dy palët shprehën dëshirën për ta vazhduar, këtë bashkëpunim, në projekte të tjera të përbashkëta, në të ardhmen e afërt, në funksion të rritjes së standardit të shërbimeve ndaj komunitetit.

Ambasada e Japonisë dhuron 139 tituj librash për bibliotekën e qytetit