Në sallën e mbledhjeve, të Këshillit të Bashkisë Skrapar, u zhvillua  ceremonia e dhënies së Titullit “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) Z. Mustafa Dervishi.

Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë të Z. Dervishi, anëtarë të Këshillit të Bashkisë, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Z. Fadil Nasufi, specialistë  të bujqësisë, kolegë të Z.  Mustafa Dervishi, ish  Rektori i  Universitetit Bujqësor Kamëz, Prof. Dr. Bari Musabelliu, Prof. Dr. Sherif Bundo, Prof. Asoc. Dr  Hysen Binjaku,  qytetarë të Skraparit etj.

Ceremonia u hap nga Kryetari i Bashkisë Skrapar, Z. Adriatik  Mema, i cili, vlerësoi figurën e Z. Dervishi si,  “Përfaqësuesi më i denjë, i atij brezi agronomësh, të cilët vunë gjithë dijen e tyre, pavarësisht kushteve të vështira që ky profesion dikton;  punuan me pasion, përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha në funksion të zhvillimit bujqësor, jo vetëm në Skrapar,  por kudo ku u caktuan”. Më tej,  Z. Mema shtoi se tek, “Z. Mustafa bashkoheshin agronomi, specialisti me kualifikim të lartë, punonjësi kërkimor, drejtuesi vizionar, i përunjur dhe modest në çdo pozicion pune që shërbeu, si dhe qytetari e familjari model”.  Titulli “Qytetar Nderi i Skraparit”(pas vdekjes), iu dorëzua familjarëve nga Znj. Edlira Shkëmbi, Kryetare e Këshillit Bashkiak, Skrapar.

Ceremonia u bë edhe më e plotë në sajë të pjesëmarrjes dhe përshtypjeve që ndanë  të ftuarit me  të pranishmit, momente kujtimesh me shumë vlerë, nga puna dhe njohja që kanë patur  me Z. Dervishi.  Në fjalën e tyre të mbylljes, familjarët e Z.Mustafa Dervishi, shprehën vlerësimet dhe mirënjohjen e thellë, për këtë akt qytetar nga Bashkia Skrapar.