Projekti i Ndërtimit të Ambienteve Rekreative & Restaurimi i Fasadave, në Lagjen “5 Shtatori” Çorovodë, i financuar nga IADSA (Konvertimi i Borxhit Italo-Shqiptar) transformon totalisht lagjen “5 Shatori”, duke e shndërruar këtë ambient në zonën më atraktive të saj. Bashkia Skrapar sapo ka përfunduar me sukses zbatimin e projektit, i cili ka ndikuar drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetesës se këtij komuniteti.

Rehabilitimi i ambienteve të jashtme, krijimi i ambienteve moderne shlodhese dhe argëtuese për të gjitha moshat, mbjellja e pemëve dekorative, sipërfaqet e gjelbëruara dhe rikonstruksioni i fasadave të pallateve, ka ndikuar në ndërgjegjësimin e komunitetit qytetar rezident në këtë lagje por dhe atë të larguar, që të investojnë në banesat e tyre, pasi prona e tyre tashmë, nuk është më një pronë pa interes, por përkundrazi merr vlerë.

Banorët e kësaj lagjeje, janë shprehur shumë të kënaqur nga zbatimi i këtij projekti, dhe falënderojnë bashkinë, për seriozitetin dhe këmbënguljen në zbatimin e tij.

Nga ana e saj Bashkia Skrapar, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë, për donatorin e projektit IADSA dhe stafin e saj si një partner shumë serioz dhe shume i rëndësishëm, mbështetës i disa projekteve në bashki, me impakt të dukshëm dhe të prekshëm për banorët e Bashkisë Skrapar.