Në sheshin qendror të qytetit të Çorovodës, u zhvillua sot ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit” të Prof.dr Ajli Alushanit.
Dr. Ajli Alushani është një personalitet i njohur, i cili ka dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin e mjekësisë, veçanërisht në fushën e kardiokirurgjisë në Shqipëri. Ai ka një karrierë të gjatë, e cila daton që nga viti 1963 dhe deri në ditë e sotme. Më shumë se gjysmë shekulli në shërbim të njerëzve, ditë edhe natë, duke u kujdesuar për ta, duke u dhënë atyre ndihmë dhe trajtim mjekësor. Në ceremoninë e sotme merrnin pjesë kolege të z. Ajli Alushani, akademike, qytetarë të shumtë të Skraparit. Ceremoninë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre ish Presidenti z. Bamir Topi, Ministri i Brendshëm z. Bledar Çuçi, Deputeti i Skraparit z. Nasip Naco, drejtues të Prefekturës dhe drejtues të tjerë në nivel vendor.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i Bashkisë, z. Adriatik Mema, bëri një përmbledhje të veprimtarisë profesionale, akademike dhe publike të Prof.dr Ajli Alushanit. Ndër të tjera, z. Mema u shpreh se, “një mjeku si ai, sado tituj e dekorata t’i akordosh, përsëri shoqëria i mbetet në borxh për atë çka dr. Ajliu i ka dhënë asaj gjatë gjithë jetës së tij”. Duke ju drejtuar, doktor Alushanit, ai shtoi: “Humanizmi dhe mirësia për ju nuk kanë qenë thjesht një akt apo një veprim, ato kanë qenë mënyra juaj e jetesës. Një jetë si e juaja, e jetuar plot ngjarje profesionale, sociale dhe publike, familjare dhe njerëzore, e jetuar për vete dhe për të tjerët, ja vlen ta jetosh”.
Ceremoninë e përshëndetën kolege të Prof.dr Ajli Alushanisi si: Prof.dr. Arben Baboci, Prof.dr. Veli Zogu, Prof.dr Dritan Shehu, ish Presidenti z. Bamir Topi, Ministri i Brendshëm z. Bledar Çuçi etj.
Me emocione të veçanta u përcoll fjala e Prof.dr Ajli Alushanit, i cili në momentin e marrjes së titullit u shpreh se: “Ky titull nuk është vetëm për mua por për të gjithë qytetarët e Skraparit, të cilët gjithmonë mbeten në zemrën time”. Z. Ajli Alushani falendroj Këshillin e Bashkisë Skrapar për titullin e nderit që ju dha dhe shtoi se pavarësisht moshës, si mjek ai do të bëjë gjithçka të mundur për t’ju shërbyer njerëzve që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Kryetari i Bashkisë, gjen rastin të shprehë falenderimet e tij për të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni, veçanërisht mjekët e ardhur nga Tirana, të cilët i dhanë kësaj ceremonie vlerë të veçantë.