Në prag të festave të fund vitit, Bashkia Skrapar në bashkëpunim me shkollat 9-vjeçare dhe të mesme organizoi një takim me nxënësit e dalluar të këtyre shkollave. Pjesëmarrës në këtë takim ishin 49 nxënës të zgjedhur nga të gjitha shkollat e Bashkisë, prindërit e tyre, drejtuesit e shkollave, mësues, anëtarë  të Këshillit të Bashkisë, etj.

Në fjalën përshëndetëse Kryetari i Bashkisë, u shpreh se: 

“Është kënaqësi e veçantë për mua të jem në këtë ceremoni shumë domethënëse, e cila bën bashkë nxënës të arsimit 9-vjecar dhe atij të mesëm, që pavarësisht klasës që ndjekin aktualisht, i bashkon një indikator: përformanca dhe rezultatet që kanë arritur këtë vit mësimor, por jo vetëm.

Është, po ashtu kënaqësi, të kemi sot këtu edhe prindërit e tyre, të cilët kanë vërtet një arsye të qenësishme të krenohen me atë çka ka arritur vajza apo djali i tyre në vitet e shkollës, si një premisë e sigurtë që ata të kenë, padyshim, një të ardhme më të mirë se ajo e prindërve të tyre sot. Në fund të fundit, kjo është dialektika e shoqërisë”.

Ju jeni e ardhmja e kësaj bote, ju do ta ndryshoni atë. Ju dhe bashkëmoshatarët tuaj do ta bëni Shqipërinë më të mirë, më të begatë”.

Ceremonia vijoi me tej me shpërndarjen e Certifikatave të Vlerësimit si dhe Certifikatës “E ardhmja e qytetit” për 12 nxënës me rezultate të shkëlqyera të  shkollave të mesme.

Të gjithë të pranishmit ndanë emocione të veçanta teksa nxënësve ju dorëzoheshin certifikatat si dhe dhuratat simbolike të përgatitura në këtë rast nga Bashkia Skrapar, duke shprehur vlerësim maksimal për këta fëmijë që i japin më shumë shkëlqim qytetit me rezultatet e tyre. Bashkia Skrapar falenderon Bankën Credins si një nga kontributorët për realizimin e kësaj ceremonie.