Teksa i afrohemi pragut të ndërrimit të viteve, kam kënaqësinë t’ju përcjell të gjithë qytetarëve të Skraparit urimet e mija më të mira për vitin e ri 2022. Uroj që të gjithë të kalojnë një mbrëmje të gëzuar dhe të paharruar me familjet e tyre. Është nder dhe privilegj për mua, si kryetar i Bashkisë, të jem në shërbim të këtij komuniteti të mrekullueshëm. Stafi i Bashkisë dhe i gjithë Njësive Administrative, po ashtu, kanë qenë vazhdimisht në shërbim dhe në përgjigje të kërkesave të qytetarëve.
Pavarësisht, kushteve të krijuara nga pandemia, ky vit ka shënuar progres për komunitetin tonë. Ndër më kryesoret, do të përmendja: ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit, punimet e të cilit kanë avancuar dukshëm, me synim përfundimin e tij në pranverën e vitit që vjen; ndërtimin e një qendre rekreative në lagjen 5 Shtatori, e cila përveç kushteve çlodhëse që ofron për të gjitha moshat, i ka ndryshuar rrënjësisht pamjen kësaj lagjeje; punime të tjera rehabilituese në brendësi të qytetit; punimet (ndonëse jo në ritmin e duhur) transformuese në qendër të qytetit, në kuadër të rilindjes urbane; punimet në proces për ndërtimin e ujësjellësve në fshatrat Gjerbës dhe Kakrukë; ndërhyrje të dukshme në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore në disa fshatra, kjo, në disa raste, në bashkëpunim dhe me kontributin e vetë banorëve, etj.
Gjithë sa përmenda më sipër, por jo vetëm, janë inkurajim për ne për të pasur një vit të ri më ambicioz dhe me më shumë progres në të mirë të të gjithë komunitetit tonë.
Dhe ndërsa të gjithë përgatitemi për festën e ndërrimit të viteve, është momenti të kujtojmë dhe të urojmë një vit të mbarë për ato familje, të cilat, për shkak të pandemisë, kanë humbur këtë vit të dashurit e tyre.
Është momenti të urojmë, gjithashtu, ato familje që janë në nevojë, dhe të mendojmë dhe reflektojmë se si t’ju vijmë atyre më mirë në ndihmë, duke dëshmuar kësisoj solidaritetin dhe vlerat tona si komunitet.
Është momenti të urojmë pensionistët, veteranët dhe moshën e tretë si shenjë e vlerësimit, mirënjohjes dhe respektit që shoqëria duhet të tregojë për kontributin e tyre të çmuar, por edhe nevojës për më tepër kujdes ndaj kësaj shtrese.
Të urojmë të gjithë ata fermerë në çdo fshat të Skraparit, që me sakrifica dhe punë të palodhur ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Të urojmë, ndoshta më të veçantët: fëmijët, nxënësit, studentët. Ata janë e ardhmja e këtij vendi, ndaj sa më shumë të përgatiten sot, aq më të aftë do të jenë për të përballuar sfidat e së nesërmes. Përmes tyre, një urim i përzemërt shkon edhe për edukatoret dhe mësuesit, të cilët me punën e tyre japin një kontribut të pazëvendësueshëm në progresin e shoqërisë.
Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi të uroj të gjithë ata që për nga profesioni janë përherë në shërbim të qytetarëve: mjekët dhe infermierët, punonjësit e policisë dhe shërbimit zjarrfikës. Me punën tuaj keni fituar respektin e shoqërisë.
Të uroj po ashtu, punëtorët e ndërmarrjes së shërbimeve publike. Falë punës së tyre, shumë ambiente në brendësi të blloqeve të pallateve po ndryshojnë krejtësisht pamje. Është puna dhe kujdesi i tyre që kemi sot një qytet çdo ditë të pastër dhe të gjelbëruar.
Të uroj të gjithë ata që bëjnë biznes dhe t’ju uroj sa më shumë sukses në vitin që vjen. Me atë çka bëni, me vendet e punës që hapni, ju keni një rol të madh në zhvillimin e komunitetit. Bashkia do të jetë gjithmonë në mbështetjen tuaj dhe së bashku duhet të ndërtojmë një partneritet të shëndetshëm të orientuar drejt zhvillimit dhe progresit.
Të gjithë kemi nevojë për më shumë respekt, dashuri, mirësi, solidaritet dhe mbështetje ndaj njeri tjetrit. Vetëm kështu, do t’i japim kuptim dhe vlerë qytetare bashkëjetesës sonë, për ta bërë Skraparin një vend ku jetohet më mirë për të gjithë, pa përjashtuar askënd.
Edhe njëherë, ju uroj të gjithë banorëve dhe çdo familje, pjesëtarëve të tyre në emigracion, në veçanti vajzave, grave dhe nënave tona, të cilat kujdesen aq shumë për këtë mbrëmje feste: Gëzuar Vitin e Ri 2022. I uroj secilit shëndet, gëzime dhe lumturi në këtë vit që po troket.
GËZUAR!