Dita e sotme, përmes panairit të produkteve bujqësore dhe artizanale, organizuar në sheshin qendror të qytetit, shënoi edhe çeljen e sezonit turistik 2022 në Bashkinë Skrapar. Në një atmosferë festive të krijuar nga grupi folklorik dhe këngëtarë të Skraparit, ky panair i mirë organizuar deri në detaje, u vizitua nga qytetarë të shumtë, jo vetëm nga Skrapari, por edhe të tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.
Në fjalën e hapjes së këtij panairi, Kryetari i Bashkisë Z. Adriatik Mema, duke iu uruar mirëseardhjen të pranishmëve, theksoi se “ky panair është një mundësi shumë e mirë për të gjithë fermerët dhe prodhuesit e zonës të ekspozojnë, promovojnë dhe tregtojnë prodhimet e tyre bio dhe shumë cilësore, aq të kërkuara nga të gjithë.
Nga ana tjetër, kjo është një mundësi e shkëlqyer për këdo që dëshiron të kalojë një ditë ndryshe, për të shijuar bukuritë e rralla që natyra i ka falur Skraparit”.
Kanionet e Osumit por edhe bukuri të tjera do të mbeten si përherë destinacionet më të kërkuara nga vizitorët. Ata do të kalojnë një ditë ndryshe dhe të paharruar në Skrapar të rrethuar nga natyra e mrekullueshme, por edhe nga mirësia dhe mikpritja e veçantë e skraparlinjve.
Bashkia Skrapar në bashkëpunim me operatoret vendore do të beje çdo gjë të mundur për të pasur një sezon sa me të mirë turistik.
Ju mirëpresim në Skraparin tonë, të traditës, mikpritjes, gatimeve të shijshme dhe bukurive fantastike!